Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, ka qenë në qendër të vëmendjes së një kundërthënieje të madhe politike lidhur me emërimin e kosovarit Gent Cakaj, në postin e Ministrit për Evropjë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë.
Meta, priti ekipin kosovar të xhudos në një takim ku shprehi respektin e madh që ka për arritjet sportive të Majlinda Kelmendit, Akil Gjakovës, Erza Muminoviqit dhe Shpat Zekës.
Përmes një postimi në faqen e tij të “Facebook”, kreu i Shtetit teksa i uron suksese në stërvitjen që kanë nisur për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, shpreh bindjen se ata do ta ngrenë shumë lart flamurin e Kosovës.
Meta shprehet ndër të tjera se Majlinda, Distria, Nora, Erza, Akili, Shpati e shumë sportistë të tjerë janë motiv krenarie dhe model suksesi e frymëzimi për fëmijët dhe gjithë të rinjtë shqiptarë.
“Një takim i ngrohtë me krenarinë e sportit shqiptar, Majlinda Kelmendi dhe kampionët e xhudos nga Kosova, Shpat Zeka, Erza Muminoviq e Akil Gjakova dhe trajnerin e tyre të mirënjohur Driton Kuka, ambasadorët e shkëlqyer të vlerave më të mira njerëzore e sportive të kombit shqiptar në botë.
I’u urova shumë suksese në stërvitjen që kanë nisur për Lojrat Olimpike “Tokio 2020”, besimplotë se do arrijnë të ngrenë lart flamurin e Kosovës.
Majlinda, Distria, Nora, Erza, Akili, Shpati e shumë sportistë të tjerë janë motiv krenarie dhe model suksesi e frymëzimi për fëmijët e të gjithë të rinjtë shqiptarë”, shkruan Meta.
Insporti raporton se Ilir Meta para se ti hynte politikës ka qenë peshëngritës i suksesshëm në Shqipëri dhe është angazhuar për përkrahje politike për sportistët në vitet sa mban poste shumë të rëndësishme në politikën shqiptare.