“Përgjegjësia për organizimin e procesit arsimor është e drejtorëve. Punëtorët e arsimit do të jenë në grevë dhe nuk do të punojnë me fëmijët. Prandaj përgjigja duhet të kërkohet nga drejtorët, ndërsa prindërit të kenë mirëkuptim për problemet e punonjësve të arsimit”, thotë kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedelkov
Zenel MIFTARI
Shkup, 9 prill – Pas vendimit për rritjen e pagës minimale në 18.000 denarë, punonjësit e arsimit kërkojnë që t’u rriten pagat edhe atyre duke e respektuar marrëveshjen kolektive për pagat në sektorin publik. Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK), kërkon një rritje të menjëhershme të pagave prej 18.4 për qind dhe një zgjidhje sistematike për harmonizimin e pagave të tjera. SASHK ka paralajmëruar se nga 11 prilli do të futen në grevë të përgjithshme deri në arritjen e një marrëveshje mes tyre dhe Qeverisë. Hyrja në grevë të përgjithshme edhe për kopshtet e fëmijëve, ka ngritur shqetësim se kush do të kujdeset për fëmijët, prindërit e të cilëve janë në punë. Ata shpresonin që të zgjidhet kjo problematik dhe të mos shkohet aspak në grevë të përgjithshme.
Gentiana Halili, nënë e cila ka një fëmijë në çerdhe ka thënë se kjo katrahurë e krijuar ka shkaktuar një huti te prindërit. Ajo gjithashtu thotë se nëse kjo problematikë nuk zgjidhjet, atëherë ata nuk kanë ku t’i lënë fëmijët. “Nëse greva zgjatë më shumë atëherë do të shkaktoj probleme te ne si prindër. Uroj që Qeveria t’ua plotësoj sa më shpejt të jetë e mundur kërkesën SASHK-ut dhe të mos mbahet greva. Nga ana tjetër, zyrtarët e kopshteve kanë thënë shkurt sot se janë në pritje të udhëzimeve se si do të rrjedhë situata”, u shpreh ajo. Sipas saj, është tepër e rëndësishme që pas rritjes së pagës minimale, të rriten pagat edhe në sektorin e arsimit se kështu edhe kujdestarët dhe mësimdhënësit të kenë paga më të larta dhe kështu të ketë dhe motiv më të madh për punë.
Kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedelkov, ka deklaruar se prindërit duhet të kenë mirëkuptim ndaj punonjësve të arsimit. “Përgjegjësia për organizimin e procesit arsimor është e drejtorëve. Punëtorët e arsimit do të jenë në grevë dhe nuk do të punojnë me fëmijët. Prandaj përgjigja duhet të kërkohet nga drejtorët, ndërsa prindërit të kenë mirëkuptim për problemet e punonjësve të arsimit”, nënvizoi Nedelkov. Ai gjithashtu ka deklaruar se në kopshtet për fëmijë me rritjen e pagës minimale, kemi paga të njëjta të punonjësve edhe pse ka detyrime të ndryshme dhe dallim në kualifikimin arsimor.
Nga ana tjetër, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska, thotë se e drejta e grevës është legjitime, por gjithsesi sipas Ligjit dhe Kushtetutës, fëmijët në çerdhe duhet të kenë kujdestari. Ajo tha se, edhe nëse nuk ka marrëveshje, drejtorët e çerdheve duhet të gjejnë një mënyrë për t’u kujdesur për fëmijët që do të vijnë, sepse kështu është e rregulluar me Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve. “Komuna, drejtorët e kopshteve janë të detyruar të zëvendësojnë stafin që kopshti të funksionojë. Është e drejtë legjitime të grevës, por sipas ligjit dhe Kushtetutës i takon përkujdesja fëmijëve”, tha Trençevska.
Nga ana tjetër, kryeministri Dimitar Kovaçevski, ka deklaruar se vendi ynë ka ligj të qartë për organizimin e grevës në të gjitha fushat. “Shkollat, Ministria e Arsimit dhe komunat, kur bëhet fjalë për arsimin fillor duhet ta organizojnë procesin e punës, sepse fëmijët duhet të kenë arsimim dhe veçanërisht pasi dolëm nga periudha e pandemisë prej dy vjetësh, ku fëmijët qëndronin në shtëpi”, shtoi ai. Sipas Kovaçevskit, askush nuk e pati të lehtë këtë periudhë, megjithatë ai shpreson se gjatë periudhës që vijon do të gjendet zgjidhje dhe se fëmijët fillimisht do të qëndrojnë në shkolla, se duhet të vazhdojë mësimi. “Me Sindikatën do të gjendet një zgjidhje, pasi si me grevë, si pa grevë, në fund duhet të ketë dialog, i cili do të përfundojë me marrëveshje mes Sindikatës dhe Qeverisë”, tha Kovaçevski. Ndryshe, përfaqësuesit e Sindikatës tashmë është takuar dy herë me zyrtarë të qeverisë, por deri më tani nuk është arritur ndonjë marrëveshje. (koha.mk)