Viti i ri nuk ka nisur mirë për mesfushorin e Kombëtares, Migjen Basha i cili ka pësuar një dëmtim që në stërvitjen e parë me Arisin. Ai ka ndjerë një problem në kyçin e këmbës dhe është detyruar që të stërvitet në mënyrë individuale me një program të veçantë duke qenë se nuk ishte në gjendje të stërvitej me grupin.
Megjithatë, mediat greke nuk raportojnë për dëmtim të rëndë dhe pritet që ditët në vijim, Basha të bashkohet me pjesën tjetër të skuadrës, duke mos humbur në këtë mënyrë asnjë ndeshje. Megjithëse është kritikuar shpesh nga drejtuesit e klubit dhe mediat, Basha shihet si një element i rëndësishëm në skuadër, duke qenë se ndihmon verdhezinjtë me eksperiencën e tij në kampionatet e ndryshme, sidomos në atë italian.
Basha u transferua te Aris gjatë merkatos së verës dhe pak kohë më vonë, me të u bashkua edhe Mërgim Mavraj por ky i fundit nuk ia doli që të bindte drejtuesit verdhezi dhe pritet që të zyrtarizohet si futbollisti më i ri i Ingolshtadit në Bundesligën e Dytë gjermane.