Në mandatin e saj, kryetarja e Komunës së Tetovës gjithnjë është përballë akuzave nga opozita se nuk ka bërë asgjë në drejtim të zgjidhjes së problemeve që tangojnë qytetarët
Urim HASIPI
Tetovë, 29 tetor – Pikërisht para dy vitesh në Maqedoninë e Veriut u mbajtën zgjedhjet lokale. Natyrisht, kryetarët e komunave premtuan shumë para zgjedhësve, duke premtuar para së gjithash infrastrukturë më të mirë rrugore, objekte shkollore, çerdhe dhe kopshte për fëmijë e kështu me radhë. Edhe në Tetovë qytetarët ia besuan edhe një mandat kryetares aktuale Teuta Arifi, e cila premtoi hapjen e bulevardeve, luftë kundër uzurpimeve të hapësirës publike, ndërtimin e dy shkollave, atë në Reçicë dhe Sellcë, transportin publik dhe qytet më të pastër. Pas dy vitesh, një pjesë e këtyre premtimeve nuk janë mbajtur dhe nuk janë realizuar. Ende nuk është hapur bulevardi “Bllagoja Toska”, nuk është rregulluar bulevardi i rrugës industriale. Transporti publik ende nuk është bërë realitet në Tetovë, kurse disa rrugë ende janë me gropa, shkruan gazeta KOHA.
“Sa i takon bulevardit në rrugën industriale, mjetet tashmë janë siguruar, procedura e furnizimit publik është hapur,me finalizimin e procedurave juridike pritet të fillojnë punët infrastrukturore. Gjithashtu, është bërë një punë kolosale, sa i takon bulevardit “Bllagoja Toska” në aspektin e eksproprijimit të pronave të banorëve, planifikohet ndarja e mjeteve edhe në vitin 2019, që më pastaj të bëhet hapja e bulevardit deri te Shkolla e mesme tekstile. Gjithashtu, themelimi i Ndërmarrjes për Transport ka qenë një nga objektivat tona strategjike, për sa i takon transportit publik në brendi të qytetit. Autobusët janë siguruar, statuset dhe aktet ligjore janë miratuar dhe pritet që një punë dy vjeçare e administratës së Komunës së Tetovës të jep rezultate konkrete”, tha Armend Fazliu, nga zyra për informim në Komunën e Tetovës.
Por edhe pas dy vitesh në krye të Komunës së Tetovës, duke mos llogaritur edhe katër vitet e kaluara, kryetarja Arifi nuk arriti që të vendosë gurëthemelin për ndërtimin e shkollës në Reçicë të Vogël dhe në fshatin Sellcë. “Ndërtimi shkollës në Reçicë të Vogël dhe Sellcë mund të themi se procedurat janë drejt finalizimit. Stacioni për ujërat e zeza që është në vlerë prej 33 milion euro është duke u punuar intenzivisht dhe së bashku me projektin për sjelljen e gazit në institucionet publike janë në proces e sipër”, thonë nga zyra për informim në Komunën e Tetovës.
Ndonëse një kohë të gjatë është premtuar zgjidhja e një sërë problemeve që tangojnë qytetarët, megjithatë në teren qytetarët gjithnjë e më shumë kanë ankesa në lidhje me punën e kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi. Përveç parkimit zonal që funksionon në disa zona, tashmë është evidente se mungojnë vendet e parkimit. Shumë rrugë që u premtuan se do të jenë njëkahëshe ende ky sistem nuk funksionon. Po ashtu, një problem tjetër janë edhe mbeturinat, problem ky që vite me radhë nuk gjen zgjidhje. Në lagjen Lenin të Tetovës, kamionët e NPK-së nuk mund të depërtojnë dhe grumbullimi i mbeturinave bëhet me shumë vështirësi dhe vonesa. “Shumë rrallë mund të shohim kamionët e mbeturinave në lagjen tonë. Punëtorët vijnë por mbeturinat i marrin me kontejner deri në skaj të lagjes. Duhet që të kenë edhe kamion më të vegjël që mos kemi probleme me mbeturinat, sepse shpesh herë grumbullohen sasi e madhe”, thotë Shabani, një banorë në këtë lagje të Tetovës.
Për dallim nga mandati i parë 2013/2017, kur në Tetovë pothuajse u zgjidh problemi me furnizimin me ujë të pijshëm, u vendos parkimi zonal dhe u rregulluan disa rrugë, në mandatin e saj, kryetarja e Komunës së Tetovës gjithnjë është përballë akuzave nga opozita se nuk ka bërë asgjë në drejtim të zgjidhjes së problemeve që tangojnë qytetarët. (koha.mk)