Pesëqind të rinj nga e gjithë bota, sipërmarrës dhe ekonomist nën 35 vjeç, do të takohen në Asizi nga 26 deri më 28 mars të vitit të ardhshëm, për të marrë pjesë në “Ekonominë e Françeskos”. Pak ditë më parë, Papa Françesku u bëri thirrje nëpërmjet një letre në të cilën propozoi një pakt për “ndryshimin e botës”, për të menduar dhe për të arritur së bashku një sistem ekonomik më të drejtë, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.
Papa, i cili ia ka besuar realizimin konkret të nismës peshkopit të Asizit, mons. Sorrentino dhe ekonomistit Luigino Bruni, në rolin e koordinatorit shkencor të ngjarjes, dëshiron të hyj në aleancë me udhëheqësit e ardhshëm botëror. Kjo nismë presupozon të përfshijë ata të rinj që po formojnë tashmë tregun global të së nesërmes me kompanitë e tyre inovative si dhe ekonomistët që do të ndikojnë në funksionimin e saj nëpërmjet ideve dhe teorive të tyre, të cilat së shpejti do të shndërrohen në politika ekonomike dhe pikëpamjet botërore.
“Ne duhet të rindërtojmë panoramën globale të ekonomisë duke shmangur pabarazitë , varfëritë e skajshme si dhe zhdukjen e mashtrimeve e korrupsionit”, është shprehur Papa.
Por ka edhe një pikë tjetër thelbësore që do të jetë e rëndësishme të pasqyrohet në Asizi, një temë që lidhet me ‘të tjerët’ në një mënyrë që ndoshta nuk është menjëherë e qartë, por është baza e kaq shumë dështimeve që po eksperimenton sot ekonomia globale. Ajo ka të bëjë me vizionin e një personi që sot banon në modele ekonomike, në konceptimin e motiveve, mënyrave të veprimit dhe arritjes së qëllimeve përfundimtare që vendimmarrësit, prodhuesit, konsumatorët, investitorët zgjedhin dhe kërkojnë. Kjo temë, vizioni antropologjik që mbështet teorinë ekonomike, është thelbësore, sepse, siç e kishte kuptuar tashmë Benedikti XVI në “Caritas in Veritate”, veçanërisht sot “çështja sociale është bërë një çështje rrënjësisht antropologjike”.