Insistimi i liderit të LSDM-së, Zoran Zaev që të miratohet Ligji për Prokurorinë Publike para se të shpërbëhet Parlamenti më 12 shkurt, nga njohësit e çështjeve politik në vend lexohet si presion për të detyruar VMRO-DPMNE-në që ta pranojë versionin aktual të Ligjit për Prokurorinë Publike
Destan JONUZI
Shkup, 5 shkurt – Lideri i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, së fundmi ka deklaruar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit mund edhe të shtyhen nëse opozita nuk mbështet Ligjin për Prokurorinë Publike. “Për mua është shumë me rëndësi të votohet ligji në Parlament. Ndërsa më 12 shkurt Parlamenti duhet të shpërbëhet. Por, nëse opozita tenton të minojë apo të bllokojë votimin, atëherë normalisht se Parlamenti nuk do të shpërbëhet derisa të përfundojë procesi i sqarimit dhe për ligjin për Prokurori Publike dhe për Protokolin për NATO, apo për ligjin për mbrojtje dhe ligjeve të ngjashme”, ka deklaruar Zaev. Në anën tjetër, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka deklaruar se ikja e Zavit nga zgjedhjet nënkupton ikje edhe nga përgjegjësia. Ai theksoi se VMRO-DPMNE kërkon që ekspertët të hartojnë ligjin për Prokurorinë Publike.
“Çështja nuk ka të bëjë me Ligjin për Prokurorinë, aq sa ka të bëjë me rezultatet e anketave që Zaev i merr për çdo ditë, të cilat tregojnë se LSDM nuk ka mbështetjen e qytetarëve dhe se dallim mes LSDM-së dhe VMRO-së është në rritje. Është e qartë se qëllimi i Zaevit i cili e di se po i humb zgjedhjet është që të tentojë që ti shtyjë zgjedhjet dhe me këtë ti ik përgjegjësisë”, deklaroi Mickoski. Ai theksoi se VMRO-DPMNE nuk është kundër ligjit për Prokurorinë Publike, por kundër Ligjit siç thotë ai partiak për Prokurorinë me të cilin mbrohet kriminaliteti. “Çdo zgjidhje ligjore duhet të jetë prodhim i një konsensusi, në të cilin do të merret parasysh mendimi i ekspertëve. Propozojmë që Ligji për Prokurorinë Publike të hartohet nga ekspertët dhe profesorët e Fakultetit Juridik të cilët kanë përvoja dhe njohuri solide për materien”, theksoi Mickoski. Nga BDI-ja e Ali Ahmetit thonë se çfarëdo lloj vendimi ndryshe për zgjedhjet e parakohshme të 12 prillit duhet të merret me konsensus politik, pasi që vendimi që vendi të shkojë në zgjedhje është marrë nga liderët e të gjitha forcave politike në vend. “Vendimi për datën e zgjedhjeve është marrë me konsensus nga gjithë kryetarët e partive politike në takim të presidenti, nëse paraqitet nevoja për ndryshimin e këtij konsensusi duhet mbledhje e formatit të njëjtë për tu arritur konsensus i ri. Deri tani askush se ka hapur këtë temë me ne”, deklarojnë nga BDI. Analisti Selim Ibraimi vlerëson se deklarata e kryeministrit Zaev mund të konsiderohet si presion ndaj VMRO-DPMNE-së që ta votojë Ligjin për Prokurorinë Publike. “Ky mund të jetë një presion i LSDM-së për të detyruar VMRO-DMPNE të pranojë versionin aktual të Ligjit të Prokurorisë. Pasi VMRO është shprehur për zgjedhje të parakohshme dhe nuk pajtohet me shtyrje të re, ka gjasa që partitë të arrijnë marrëveshje. Megjithatë partitë në pushtet kanë një avantazh pasi e kontrollojnë gjyqësinë dhe mënyrën e propozimeve ligjore. Nëse BDI pajtohet ndoshta mund të kemi Ligj të ri të Prokurorisë dhe zgjedhje në kohë. LSDM-së nuk i konvenojnë zgjedhjet, pasi loja politike po vazhdon me VMRO në disa dimensione me pasoja për vendin”, deklaroi për KOHA, Ibraimi. Ndryshe, më 12 prill pritet të shpërbëhet Parlamenti dhe me këtë të shpallen edhe zyrtarisht zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit. Bazuar në deklaratën e kryeministrit Zaev, dhe nëse VMRO-DPMNE nuk e voton Ligjin mbi Prokurorinë atëherë zgjedhjet e parakohshme parlamentare mund të shtyhen edhe për katër muaj. (koha.mk)