Shkup, 30 tetor – Bashkë me kolegët e tyre më të vjetër dhe me përvojë do të jeni shtyllë e shtetësisë dhe sovranitetit të atdheut tonë. Ju jeni ata që fjalët patriotizëm, guxim, sakrificë nuk do të jenë vetëm fjalë, por do të jenë mënyrë e jetesës. Pa ju dhe profesionalizmin tuaj nuk do të mund të flasim për pavarësi, mëvetësi, siguri, përparim ekonomik dhe prosperitet në Republikën e Maqedonisë. Kjo ka qenë porosia e zëvendëskryeministres dhe ministres së Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska në promovimin e 125 ushtarëve të rinj profesional në Armatën e Republikës së Maqedonisë në kazermën “Ilinden” në Shkup.
“Ky tren ku jemi të gjithë bashkë, është në vijë të shpejtë. Shkon përpara dhe nuk guxon të ndalet. Ju ftoj të gjithëve, bashkë të jemi më të mirë, më efikas dhe më profesional”, ka porositur Shekerinska, duke shtuar se kanë kaluar proces të vështirë të testit, ndërsa tani ka shtuar se “do t’u nevojitet energji e njëjtë dhe përkushtim që të dëshmojnë se sa mund t’i ofrojnë RM-së”.
“E kemi mbajtur fjalën edhe në raport me prioritetet strategjike. Paralelisht me pranimin tuaj, në ARM kemi filluar edhe me bisedimet paraqasëse me NATO-n që ky vend i ka pritur veç më 10 vite. Jam e bindur se bisedimet paraqasëse do të jenë të shpejta, efikase dhe cilësore. Do të jeni krenar që secili prej nesh me punën tuaj dhe profesionalizëm, do të mund të jep kontributin personal ndaj këtij procesi të integrimit që do të sjell erë të re për Maqedoninë si anëtare e 30-të e NATO-s”, ka thënë mes tjerash në paraqitjen gjatë promovimit të ushtarëve të rinj profesional, ministrja Shekerinska.
Ajo ka porositur se përgjegjësia para tyre është dhe do të jetë e madhe.
Shekerinska ka rikujtuar se buxheti i RM-së këtë vit është rritur për 15 për qind, ndërsa paralajmëroi se e njëjta do të vazhdojë të rritet sipas dinamikës së përcaktuar për çdo vit.
“Nga ajo nuk ka zmbrapsje. Të punësuarit këtë vit pas vitesh të gjata për herë të parë fituan rritje të rrogës për 10 për qind. Këtë vit për herë të parë arritëm të nënshkruajmë marrëveshje për furnizim të çizmeve, vazhdojmë me furnizimin e uniformave të reja”, ka thënë ajo duke shprehur bindjen se vitin e ardhshëm do të mund të jemi më ambicioz dhe të fokusohemi në procesin kryesor, e që ka të bëjë me modernizimin dhe pajisjen e cila do të sjell teknikë dhe teknologji të re dhe avancuese. Mes tjerash ka thënë se sillen ndryshime dhe zhvillim edhe në arsimin ushtarak.