Kosova po kërkon rrugë t’i afrohet Europës, sepse e konsideron veten pjesë të saj, por në institucionet e Bashkimit Europian askujt nuk i kujtohet t’ia kërkoj Serbisë, ashtu siç u kërkua nga Gjermania e pas luftës, që të mos guxojë ta mohojë gjenocidin e kryer në Kosovë. Pse i duhet ky standard i dyfishtë Europës, kur ajo vetë u ngrit mbi luftën kundër harresës së krimeve
Nga Emin AZEMI
Që nga viti i kaluar, konkretisht më 16 maj 2019, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën nëpërmjet së cilës vendosi që 15 janari të jetë DITA E PËRKUJTIMIT TË GJENOCIDIT NDAJ SHQIPTARËVE NË KOSOVË. Kurse më 10 prill në prani të shumë zyrtarëve më të lartë politikë të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Maqedonisë, në zonën ndërkufitare në Bllacë, në pjesën kosovare, u inaugurua Qendra Përkujtimore e Eksodit “Bllacë ‘99”. Me këtë rast u vu gurthemeli i kësaj Qendre dhe u promovua treni me mbishkrimin “Përjetësisht në memorjen shqiptare”, që është simbol tragjedisë së shqiptarëve të Kosovës, që erdhën me atë tren në kufirin e Bllacës.
“Sot ne nuk po vendosim vetëm një gurthemel të një qendre përkujtimore, madje as treni që sot e kemi këtu si shenjë kujtimi për një të kaluar të hidhur nuk është i mjaftueshëm për ta përkapur krejt përkushtimin dhe synimin tonë. Në të vërtetë, ne sot këtu po vendosim të ngremë një qendër që do ta konservojë, ruajë, mbrojë dhe kultivojë krejt kujtesën historike të shumë gjeneratave shqiptare përgjatë më shumë se një shekulli. Vërtet të kaluarën nuk mund ta ndryshojmë, sepse kjo është përtej fuqisë sonë, por atë mund ta përkujtojmë çdo ditë, që të marrim mësim prej saj dhe të mos lejojmë që ajo të na përsëritet”, pat thënë me rastin e inaugurimit të kësaj qendreje përkujtimore, dr. Skendere Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shqipërtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve.
DITA E PËRKUJTIMIT TË GJENOCIDIT NDAJ SHQIPTARËVE NË KOSOVË, ndërlidhet me masakrën makabre të Reçakut. Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999, fshati Reçak ishte zgjua në një shtetrrethim të hekurt nga ana e bandave serbe, të veshur me rroba ushtarësh, paramilitarësh, policësh të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara. Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar krimin, aty rreth orës 6.30 minuta forcat serbe me artileri të rëndë kishin filluar të granatojnë fshatin, prej vendeve të quajtura „Pishat“, „Gështenjat“, „Rrasa e Çallakut“ dhe nga „Çesta“ përmbi Reçak. Pas ndërprejes së granatimeve forcat kriminale serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet shtëpi për shtëpi. Në këto momente mjaftë të rënda, fshatarët janë përpjekur të largohen nga fshati apo të gjejnë një vendstrehim më të sigurt, por rrethimi i hekurt e ka bërë të pamundur një gjë të tillë dhe për pasojë mbeten të vrarë 45 banorë nga kjo zonë.
Shqiptarët janë të detyruar ta memorizojnë këtë datë, jo se ajo iu sjellë ndonjë gëzim, por mohimi i gjenocidit nga ana e autoriteteve në Beograd, e ka bë bërë të domosdoshme shndërrimin e vuajtjeve në memorie institucionale.
Gjenocidi ka ndodhur, por përpjekja për të mohuar atë dhe shkatërruar gjurmët e krimeve, paraqet krim të dyfisht. Për ironi të fatit ky mohim tani po vjen nga i njëjti person i cili gjatë luftës në Kosovë (1998/99) e drejtonte Ministria e Informatave e Qeverisë së Serbisë. Presidenti i tashëm Aleksandar Vuçiq, mik i ngusht i Edi Ramës, i cili e cilëson krimin e gjenocidit në fshatin Reçak si “trillim i sajuar nga William Walker-i”, është po i njëjti ministër i Informatave në kabinetin e satrapit Millosheviq. Ai po e mban një linjë konstante të rezonimit, duke mos dashur të del as edhe një milimetër nga mendësia çetnike mbi shqiptarët.
Askush në Serbi nuk u dënua për krimin makabër të kryer në Reçak. Kosova po kërkon rrugë t’i afrohet Europës, sepse e konsideron veten pjesë të saj, por në institucionet e Bashkimit Europian askujt nuk i kujtohet t’ia kërkoj Serbisë, ashtu siç u kërkua nga Gjermania e pas luftës, që të mos guxojë ta mohojë gjenocidin e kryer në Kosovë. Pse i duhet ky standard i dyfishtë Europës, kur ajo vetë u ngrit mbi luftën kundër harresës së krimeve. (koha.mk)