Klubi i PSG nuk ka ndër mend të presë edhe shumë kohë për të mësuar nëse Nejmar do të transferohet në një nga skuadrat që e ndjekin me interes. Parisienët nuk duan të dëmtojnë fazën e mirëfilltë përgatitore për sezonin e ri ndaj i kanë bërë të ditur futbollistit që të ngutet të zgjidhë gjithçka.
Sipas mediave franceze, lojtarit i është bërë e qartë që ka kohë deri më datë 31 gusht që të zgjidhë me ekipet që e kërkojnë çështjen e pagesës së shifrës që i afrohet 220 milionë eurove që PSG kërkon për të, në të kundërt do të mbetet pjesë e skuadrës parisiene edhe për edicionin e ardhshëm. Nejmar kërkon të largohet me çdo kusht, pasi nuk e ndjen më veten pjesë të kësaj skuadra dhe ia ka bërë të ditur vazhdimisht klubit, por ky i fundit ka pretendimet e tij sa i përket kartonit, pasi dëshiron të rifitojë paratë që ka investuar për ta afruar dy vite më parë nga Barcelona.
Klubi do të mbyllë edhe vetë çdo lloj diskutimi të merkatos në hyrje apo dalje në mënyrë që nga gushti e më tej, Tuhel të ketë idetë e qarta se kush janë lojtarët me të cilët do të përballojë sezonin në kërkim të fitores së Ligës së Kampioneve që mbetet objektivi kryesor i PSG.