Avokati belg i Karles Puxhdemon deklaroi sot se nuk pret në javët në vijim që lideri i shkarkuar katalanas të kthehet në Spanjë, e sidomos jo për shkak të marrjes në pyetje të gjykatës spanjolle. Avokati Pol Bekert, në pyetjen për paraqitjen e Puxhdemonit para gjykatës, deklaroi se ai “nuk shkon në Madrid”. “Siç qëndrojnë gjërat, momentalisht unë nuk shoh se ai do të kthehet në disa nga javët e ardhshme”, deklaroi Bekert.
Nëse Spanja kërkon ekstradim të Puxhdemonit, atëherë për këtë vendim do të marrin gjykatat belge, e jo pushteti”, tha Bekert. Zëdhënësi i Partisë qeveritare Popullore, Esteban Gonzales Pons, deklaroi se, nëse Puxhdemon nesër nuk paraqitet në gjykatës “me siguri nga Belgjika do të kërkohet ekstradim” dhe se policia belge do ta arrestojë. Gjykata Supreme spanjolle kërkoi që Puxhdemon dhe 13-të ministrat e ndërruar të tij të paraqiten para gjykatësve të enjten dhe të premten, duke paralajmëruar akuza kundër tyre.
Prokuroria paraprakisht kërkoi përndjekje penale kundër tyre për shkak të nxitjes së kryengritjes. Puxhdemon dje porositi nga Brukseli se nuk ka për qëllim që të ikë nga drejtësia, por nuk do të kthehet në Spanjë, nëse nuk merr garanci se atje do të ketë gjykim korrekt. Puxhdemon tha se nuk do të kërkojë azil politik në Belgjikë. Mbrëmë dy ministra të Puxhdemonit, të cilët ishin me të në Bruksel , janë kthyer në Barcelonë.