Kërçovë, 3 janar- Shfrytëzuesit e ndihmës sociale në Kërçovë nga 26 dhjetori 2018 mund t’i rinovojnë dokumentet për ndihmë sociale, informojnë nga Qendra për punë sociale në Kërçovë.
Rinovimi zbatohet konform Ligjit për mbrojtje sociale, ndërsa shfrytëzuesit e ndihmës sociale obligohen të dorëzojnë kërkesë të re gjatë vitit vijues.
“Ne kemi numër serioz të shfrytëzuesve të ndihmës sociale, rreth 600 shfrytëzues të cilët duhet të dorëzojnë kërkesë të re. Kërkesat do të mund t’i marrin në institucionin tonë, derisa me vete duhet të kenë vetëm letërnjoftimin, ose letërnjoftim të të gjithë anëtarëve të rritur”, ka deklaruar udhëheqësi për punë juridike të Qendrës për punë sociale në Kërçovë, Arian Imeri.
Të dhënat që nevojiten për rishikimin e gjendjes materiale të familjes, Qendra i merr në rrugë zyrtare nga institucione përkatëse: DAP, MPB, Agjencia për punësim dhe institucione tjera.
“Me rinovimin filluam nga 26 dhjetori i vitit të kaluar dhe do të zgjas deri në 28 janar të këtij viti. Po ashtu në rrjedhë është edhe rinovimi i dokumenteve, dorëzimi i kërkesës së shfrytëzuesve për ndihmën në para që ka startuar më 26 dhjetor dhe do të zgjas deri më 28 janar të kësaj kategorie kemi 87 shfrytëzues”, ka thënë Imeri.
Lidhur me shfrytëzimin e ndihmës së përhershme në të cilat hyjnë persona më të vjetër se 65 vjeç, persona të paaftë për punë dhe tjerë, nevojiten dokumente shtesë.