Kafshët nuk vendosin vetë se a do të jenë qenë endacak apo jo. Kjo, kryesisht varet nga qytetarët e pakujdesshëm, të cilët së pari i mbajnë qentë si kafshë shtëpiake dhe më pas i hedhin në rrugë. Si alternativë për zgjidhjen e problemeve me qentë endacak në rrugë, është ndërtimi i një strehimore rajonale
Remzije BILALLI
Shkup, 29 shtator – Shumë komuna të Maqedonisë nuk kanë zgjidhur ende problemin e qenve endacak. Ndër to është edhe komuna e Kumanovës. Në mungesë të hapësirave adekuate për sistematizimin e këtyre qenve, ata bredhin rrugëve gjatë gjithë kohës. Shumicën e kohës i gjejmë në vendet më të frekuentuara të qytetit duke kërkuar ushqim dhe strehim, shkruan gazeta KOHA.
Në të shumtën e rasteve në mungesë të ushqimit këta qen mund të jenë agresiv për rrethinën duke ngjallur frikë tek qytetarët. Alternativë e vetme mbetet trajnimi i tyre profesional dhe vendosja nëpër strehimore.
Në bazë të Sektorit për mbikëqyrje inspektuese në Kumanovë ky numër nuk mund të llogaritet saktësisht për shkak të mungesës së rregullativës ligjore për qentë endacak. Mirëpo në bazë të informatave jo formale nga vlerësimi i shërbimit veterinar dhe vetë qytetarëve thuhet se numri i qenve endacak në Kumanovë është rreth 300 qen. Sipas Qendrës për Shëndetin Publik në Kumanovë, deri më tani janë regjistruar rreth 90 sulme nga qenët endacakë.
“Kafshët nuk vendosin vetë se a do të jenë qenë endacak apo jo. Kjo kryesisht varet nga qytetarët e pakujdesshëm të cilët së pari i mbajnë qentë si kafshë shtëpiake dhe më pas i hedhin në rrugë. Kemi disa alternativa për zgjidhjen e problemeve me qentë endacak në rrugë, njëra është ndërtimi i një strehimore rajonale që do të financohej nga shteti. Zgjidhje tjetër për problemin është të dihet numri i qenve të paregjistruar dhe të hyjë në fuqi ligji për vendosje e çipeve tek qentë. Me këtë do të dihen pronari i qenve dhe nëse ata i braktisin kafshët në rrugë do të sanksionohen nga autoritet ”,deklaroi për ‘’Kohën”, shefi i Sektorit për mbikëqyrjen e inspektimit Boban Bojkovski.
Mirëpo nga ky sektor nuk treguan konkretisht se kur do të bëhet zgjidhja e këtij problemi dhe se a do të bëhet vaksinimi dhe sterilizimi i qenve endacak.
Për veterinerët qentë paraqesin rrezik permanent sidomos për fëmijët dhe të moshuarit. Përveç frikës se mund të sulmohen qytetarët ndjehen të rrezikuar edhe për sëmundjet që mund të transmetojnë. Në Maqedoni ka rreth gjashtë strehimore ku qenve u jepet trajtim i nevojshëm, pra bëhet kapja e tyre, çipimi,vaksinimi për tërbim dhe dehelmentizimi.
“Të gjithë banorët janë të rrezikuar por më të rrezikuar janë fëmijët shumica e të cilëve shkojnë vetë në shkollë dhe të moshuarit të cilët nuk mund të mbrohen vetë në raste rreziku. Mungesa e strehimoreve dhe mungesa e trajtimit profesional përbën rrezikshmëri te lartë edhe për transmetimin e sëmundjeve që barten nga kafsha tek ne dhe anasjelltas, përshi edhe sëmundjen vdekjeprurëse të tërbimit”, u shpreh për gazetën KOHA ,veterineri Maksut Kërluku.
Darko Davitkovski,një nga qytetarët e shqetësuar u shpreh se qytetarët e Kumanovës janë të frikësuar kur shohin grup qensh që drejtohen në drejtim të tyre.
“Qentë endacak janë mjaft të rrezikshëm për qytetarët,personalisht di shumë raste kur njerëzit kanë qenë ne rrezik për shkak të sulmit nga qentë endacak. Kam bërë një video të cilën e kam shpërndarë dhe kisha në planë të shkoj deri tek komuna mirëpo besoj ata janë në dijeni për këtë problem, sepse edhe para komunës sillen qentë endacak”, thotë ai.
Komuna e Kumanovës ka shpallur tender për kapjen e qenve të humbur në shumën prej 800,000 denarë pa TVSH. Ndërkaq qentë e kapur trajtohen nga Qendra Veterinare,të cilët fituan tenderin për kapjen e qenve. Qentë e kapur dërgohen në strehimore në fshatin Çetirce dhe atje i marrin të gjitha trajtimet e parashikuara me ligj.
Ndërsa nga shtuna e 1 shtatorit Agjencioni për ushqim dhe veterinari informuan se do të fillojnë me fushatën për identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve shtëpiake (qen dhe mace), e cila do të zgjasë deri më mars të vitit të ardhshëm, pra deri në konsumimin e sasisë 100.000 çipa të blerë. (koha.mk)