Në vigjilje të zgjedhjeve lokale, Qeveria dëshiron t’i shlyejë borxhet e ndërmarrjeve publike të themeluara nga Komunat. Propozim-ligji tashmë është dorëzuar në Parlament, ndërsa opozita akuzon se me këtë ligj po mbulohet menaxhimi jo i mirë i kryetarëve të komunave
Xhenur ISENI
Shkup, 30 janar – Gjithsej 63 milionë euro është borxhi i ndërmarrjeve publike komunale në shtator të vitit të kaluar, nga të cilat 54 milionë euro janë obligime të papaguara ndaj shtetit – përfshirë deri në shtator të vitit 2020. Nëntë milionë euro të tjera janë borxhe të cilat ndërmarrjet publike të themeluara nga komunat do të duhet ti paguajnë këtë vit dhe vitin tjetër, tregojnë të dhënat raporti i katërmujorit të tretë që ka publikuar Qeveria, gjegjësisht Ministria e Financave. Në listën që e ka publikuar Ministria e Financave, me borxh më të madh kryeson Komuna e Tetovës me 9 milionë euro dhe ajo e Ohrit me afër 7 milionë euro borxh, soi dhe Komuna e Karposhit me 5 milionë euro borxh, gjegjësisht obligime të papaguara.
Në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen këtë vit, Qeveria do t’ju ndihmojë sërish Komunave që ti mbulojnë borxhet e ndërmarrjeve publike, të cilët janë të futura thellë në borxhe. Ky lloj i punës i ndërmarrjeve publike – themelues të të cilave janë komunat, shpëtim do të marrin nga Qeveria nëse në Parlament kalon propozim-ligji në fjalë. Kjo është hera e dytë në tre vitet e fundit që qeveria iu del në ndihmë kryetarëve të komunave rreth borxheve me të cilat ballafaqohen. Në zgjidhjen ligjore është potencuar fshirja e detyrueshme e kamatës nga ana e kreditorëve, si dhe riprogramimi i borxheve dhe harxhimeve të ndërmarrjeve, me qëllim funksionimin normal të ndërmarrjeve publike dhe realizim të aktiviteteve të tyre zhvillimore. Por, një nga problemet është se në zgjidhjen ligjore nuk janë potencuar pasojat financiare konkrete, gjegjësisht për sa para do të jetë më i ulët buxheti, pasi Qeveria do t’u falë borxhet e ndërmarrjeve publike.
NDËRMARRJE QË PUNOJNË ME HUMBJE
“Me këtë ligj rregullohen kushtet, mënyra dhe procedura e shlyerjes së kamatave dhe për ri-programim të borxhit kryesorë dhe harxhimet e ndërmarrjeve publike ndaj organeve publike të cilat dalin nga lëndë të dorëzuara para përmbaruesve dhe Drejtorisë për të Ardhura Publike përfshirë me 31.12.2017”, thuhet mes tjerash në zgjidhjen ligjore. Sipas të dhënave nga Qendra për Komunikime Qytetare dhe hulumtimit të tyre të fundit – për 30 ndërmarrje publike në periudhë nga viti 2015 deri në vitin 2019, afërsisht 1/3 e ndërmarrjeve janë në humbje. Nga ndërmarrjet publike komunale me humbje më të madhe në vitin 2019 është ndërmarrja publike “Strezhevo” në Manastir me humbje prej 3.5 milionë euro, derisa në vitin 2018 humbja e tyre ka qenë 3.8 milionë euro. Menjëherë pas tyre gjinden edhe NQP-Shkup.
Ndërmarrja publike “Parqe dhe Gjelbërime” tre vite me radhë punon në humbje. Përveç vitit 2016, për vitet e kaluara është konstatuar humbje me gjithsej 555.000 euro. Ndërkohë, numri i të punësuarve është ulur për 5 për qind. Raporti me të ardhurat financiare dhe të dalurat është negativ dhe në përqindje është 92 për qind. Nga ana tjetër, puna e ndërmarrjes publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” tregon përmirësim. Ndërmarrja për vitin 2019 ka realizuar neto profit, për dallim nga viti 2018 kur është konstatuar humbje prej 883.000 euro. Me humbje ka punuar edhe në vitin 2015, thuhet në raportin e Qendrës për komunikime qytetare. Por duhet thënë se gjatë viteve të kaluara – ende nuk është vërejtur ndonjë drejtor të një ndërmarrje publike të merr përgjegjësi për menaxhimin jo të mirë, gjegjësisht se pse ndërmarrjet në fjalë janë futur thellë në borxhe! Por e çuditshmja është se në propozimin-ligjin që është dorëzuar në Parlament – nuk parashihet dënim për ata funksionarë të cilët nuk e kanë kryer punën mirë dhe kanë lejuar ndërmarrjet të futen në borxhe, dhe më pas përmbaruesit iu bllokojnë xhirollogaritë. Nga ana tjetër, në Ligjin për financimin e vetëqeverisjes lokale është parashikuar dënim prej 1500 deri më 3000 euro për kryetarin i cili nuk do ta shlyen në kohë borxhin.
OPOZITA: NJË LIGJ I TURPSHËM I QEVERISË
Opozita akuzon se me këtë ligj, Qeveria në vend se të punojë për decentralizimin, po bën diçka krejtësisht tjetër dhe se autoritetet lokale shërbejnë vetëm për t’i mbushur me ushtarë partiak. Nga VMRO-DPMNE thonë se përsëri po tentohet me çdo kusht të kalon një projekt i turpshëm për shlyerje të borxheve. “Pse tani përsëri të mbulohet borxhi i Teuta Arifit në Tetovë ose atij të paaftit në Ohër. Për arsye se për vetëm dy vite kryetarët kanë harxhuar rreth dy milion euro për furnizim të veturave zyrtare. Kjo është me të vërtetë e turpshme”, thonë për KOHA, nga partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE. Aktivistja qytetare, Mirjana Najçevska thotë se me këtë propozim-ligj shihet se bëhet fjalë për aktivitet për zgjedhjet e ardhshme lokale. Sipas saj, para se shteti të mbulojë borxhet e komunave, duhet të bëhet revizion i tërësishëm për harxhimet e komunave në fjalë.
“Para se të shlyhen çfarëdo lloj i borxheve të komunave, duhet të bëhet revizion të harxhimeve në Komunë, gjegjësisht se për çfarë janë harxhuar paratë që i ka pasur komuna, sidomos për çfarë janë harxhuar paratë me mbulimin e borxheve të kaluara të cilat i ka marrë komuna si shpërblim nga shteti. Domethënë se asnjë denarë nuk guxon të harxhohet në diçka që është jashtë nevojave ekzistenciale të komunës, gjithçka tjetër është vjedhje e hapur ndaj qytetarëve dhe ryshfet i hapur në funksion të zgjedhjeve të ardhshme”, deklaroi për KOHA, Mirjana Najçevska, aktiviste. Në pyetjen nëse do të ishte më mirë shteti të shlyen borxhet e qytetarëve me të ardhura më të vogla mujore, në vend se të shlyen borxhet e komunave, ajo tha se nuk duhen të shlyhen borxhet e qytetarëve, por nuk guxon shteti të lejon situatë ku qytetari i rëndomtë të mos mund t’i paguan harxhimet bazike për rrymë, ujë, deponi etj.
Përndryshe, para dy viteve shteti iu fali borxhet komunave, gjegjësisht iu dha 50 milion euro nga buxheti i shtetit që ti paguajnë borxhet. Pas dy viteve edhe më tej vetëqeverisjet lokale janë me më shumë borxhe. Vitin e kaluar deri më shtator, komunat kanë qenë në borxh 63.8 milion euro. Gjithsej 306 milion euro janë në borxh komunat, ndërmarrjet publike por edhe institucionet dhe shoqatat të themeluara nga njësitë e vetëqeverisjes lokale dhe pushtetit qendrorë për detyrimet ndaj shtetit, tregojnë të dhënat nga Ministria e Financave për katërmujorin e tretë të vitit që lamë pas. (koha.mk)