Eksporti i energjisë elektrike i prodhuar nga kapacitetet vendore në vitin e kaluar arriti në 359 gigavat orë, që paraqet një ulje për 44 për qind në raport me vitin 2020, kur eksporti i rrymës ishte i vlefshëm 639 gigavat orë, tregojnë analizat e rregullatorëve
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 16 maj – Maqedonia e Veriut me vite është e varur prej importit të energjisë elektrike që luhatet prej 20 deri 30 për qind në varë si prej prodhimit vendor, por edhe të harxhimit më të madh apo më të vogël energjetik. Të dhënat tregojnë përgjysmimin e prodhimit të rrymës nga termocentralet që dominojnë prodhimin vendor të rrymës karshi hidrocentraleve, në vitin e kaluar në raport me dhjetë vite më parë si dhe harxhimin vitin e kaluar, e mbi 200 milionë euro për import të rrymës dhe 100 milionë euro për gaz natyror që në një pjesë të madhe është përdorur për prodhimin e rrymës. Analizat e Komisionit Rregullator për Energjetikë tregojnë se në vitin 2021, neto importi i energjisë elektrike ka arritur në 33.158 për qind, përderisa në vitin 2020 importi ka qenë 31.38 për qind i totalit të konsumit bruto. Thënë, ndryshe, importi i tërësishëm i energjisë elektrike në vitin 2021 ka qenë 2940 giga vat orë dhe është për 12.3 për qind më i lartë në raport me importin në vitin 2020. Bile duhet shtuar tregon analiza e rregullatorë ve se një pjesë e sasive të energjisë elektrike, nuk është shfrytëzuar tërësisht për nevojat e konsumatorë ve në Maqedoninë e Veriut, por një pjesë vetëm ka tranzituar nëpër vendin tonë.
Nga ana tjetër, edhe totali i prodhimtarisë vendore të energjisë elektrike nuk është shfrytëzuar për nevojat e konsumatorëve në Maqedoninë e Veriut, por një pjesë e rrymës përmes tregtarëve është eksportuar jashtë shtetit. Eksporti i energjisë elektrike i prodhuar nga kapacitetet vendore në vitin e kaluar arriti në 359 gigavat orë, që paraqet një ulje për 44 për qind në raport me vitin 2020, kur eksporti i rrymës ishte i vlefshëm 639 gigavat orë , tregojnë analizat e rregullatorëve.
Metodologjia energjetike udhëzon se vartësia e vendit nga importi, përcaktohet me raportin midis prodhimtarisë vendore të energjisë elektrike dhe bruto konsumit të energjisë elektrike, ku merret parasysh konsumi i rrymës i konsumatorëve përfundimtar, përfshi edhe energjinë elektrike të nevojshme për të mbuluar humbjet në sistemin e transmetimit dhe distribuimit të rrymës.
Në gjashtë vitet e kaluara, prodhimtaria vendore e energjisë elektrike luhatet ndërmjet 5271 gigavat orë në vitin 2015 duke qenë në vazhdimësi mbi 5000 gigavat orë në vitet e ardhshme deri në 5285 orë gigavat në vitin 2021. Edhe konsumi i rrymës në këtë periudhë 2015-2021 në vazhdimësi ka lëvizur ndërmjet 7400 dhe 7900 gigavat orë për të arritur në 7906 gigavat orë në vitin 2021. Luhatje ekzistojnë edhe në sasitë e rrymës së importuar nga jashtë nga 1826 gigavat orë në vitin 2019, që është rritur në 2621 gigavat orë në vitin 2021. Mirëpo, viti i kaluar shënon edhe çmime shumëfish më të larta të çmimit të rrymës nga importi. Në vitin 2021 shënohet edhe rritje e importit të rrymës për gati 12 për qind në raport me vitin 2020, ndërsa në raport me vitin 2019 është rritur importi i rrymës për afër 28 për qind, si rrjedhojë e uljes së dukshme të prodhimtarisë vendore të energjisë elektrike dhe atë në Termocentralin e Manastirit si dhe të rritjes njëherësh të bruto konsumit të rrymës në vend.
Analizat e Komisionit Rregullator për Energjetikë tregojnë ulje të rëndësishme të prodhimtarisë vendore dhe atë nga 6.744 gigavat orë në vitin 2010 në 5.284 gigavat orë në vitin 2021, ku ndikim më të madh ka prodhimtaria e zvogëluar e Elektro Ekonomisë së Maqedonisë. “Viti 2021, shënon ulje historike të prodhimtarisë së energjisë elektrike nga termocentralet në nivel prej 2078,3 gigavat orë ku termocentrali në Manastir ka prodhuar vetë m 1864,4 gigavat orë, që paraqet 44,5 për qind të prodhimtarisë së energjisë elektrike nga viti 2011 kur ky nivel i prodhimit ka qenë më i lartë”, tregojnë analizat.
Shkaqet e trendeve të uljes së prodhimtarisë në termocentralet janë defektet e shumta dhe ndërprerjet e punës në termocentralin e Manastirit, ulja e sasive të qymyrit si dhe cilësia e qymyrit në termocentralin e Manastirit, së bashku me përfundimit e ciklit prodhues në termocentrale dhe investimet jo përkatëse ulja e efikasitetit të punës etj. Në ndërkohë pritet që muaji qershor të sjellë shtrenjtim të rri të rrymës. Në vend pritet të vendosen edhe tarifat e reja të energjisë elektrike për të gjithë ata që harxhojnë më shumë se mesatarja e një amvisërie. Nga Komisioni Rregullator për Energjetikë thonë se në rrjedhë e sipër janë analizat për vendosjen e sistemit të ri tarifor për shkak se shumë pak amvisëri shfrytëzojnë një të pestën e energjisë elektrike në shtet. Pritet që në muajin qershor të shpalosen edhe tarifat e reja, që nënkuptojnë çmim të garantuar për ata amvisëri që harxhojnë më pak, ose me rritjen e konsumit, do të rritet edhe çmimi i energjisë elektrike. Me fjalë tjera, tarifat do të vendosen edhe për kufizimin e konsumit të madh të rrymës. Pritet që edhe më tej të jetë i lartë çmimi i rrymës nga importi që të enjten arriti në afër 219 euro për megavat orë, ndërsa çmimi i rrymës që do të përcaktohet në muajin qershor do të vlejë deri në fund të vitit.
Kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimoski thotë se çmimi i energjisë elektrike në tregjet në Evropë, në rajon dhe në Maqedoni është ende në nivel jashtëzakonisht të lartë, dhe lëviz prej 220 deri në 250 euro për megavat orë. “Po ashtu edhe njoftimet për tremujorin e tretë dhe të katërt të këtij viti po lëvizin në atë nivel dhe gjithashtu sipas marrëveshjeve afatgjata që i kemi sot në dispozicion, çmime të larta do të ketë edhe në tërë vitin 2023”, thekson Bislimoski.
Ai shton se mbrojtja më e mirë nga çmimet e larta në tregun e lirë janë kursimet dhe rritja maksimale e prodhimit vendor të energjisë elektrike. Nëse analizojmë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën në vendet e rajonit, atëherë mund të shihet se vendet që kanë prodhim të lartë vendas dhe kanë pasur edhe për eksport, dhe këto janë Bullgaria dhe Bosnja e Hercegovina, ku kompanitë e tyre që prodhojnë energji elektrike kanë pasur fitime të mëdha. “Fatkeqësisht në vendet e tjera që varemi nga importi i energjisë elektrike, para së gjithash për shkak se çmimi i energjisë elektrike në tregun e lirë është shumë më i lartë se në periudhën paraprake, kemi pasur probleme serioze me çmimin e energjisë elektrike”, thekson. Bislimoski duke shtuar se problemi mund të ndërlikohet më tej nëse shfaqen probleme me furnizimin e gazit natyror, për shkak se do të kenë probleme impiantet që prodhojnë rrymë nga gazi natyror. (koha.mk)