Prodhuesit e qumështit në Maqedoninë e Veriut prej fundit t ë vitit 2020 do të duhet të zvogëlojnë numrin e baktereve në qumështin që e ofrojnë për shitje ndaj grumbulluesve
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 7 tetor – Prodhuesit e qumështit në Maqedoninë e Veriut deri në fund të vitit 2020 do të duhet të zvogëlojnë numrin e baktereve në qumështin që e ofrojnë për shitje ndaj grumbulluesve, apo me fjalë të tjera – do të duhet të prodhojnë qumësht sipas kategorisë së parë evropiane që nënkupton adaptim të prodhimtarisë në bazë të tre parametrave kryesore, siç janë infrastruktura, higjiena e objekteve, grumbullimi dhe transportimi i qumështit, si dhe kriteret që përfshijnë numrin e përgjithshëm të mikroorganizmave dhe qelitë somatik, shkruan gazeta KOHA.
Numri i përgjithshëm i mikroorganizmave në një mililitër qumësht, në 30 gradë celsius, duhet të jetë deri ose më pak se 100 mijë, ndërsa i qelizave somatike deri ose më pak se 400 mijë. Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thonë se janë në përfundim e sipër të kategorizimit të fermave të lopëve ku përfshihen 5747 ferma që dorëzojnë qumësht në kapacitetet prodhuese. Prej tyre, vetëm 112 ferma apo 2 për qind prodhojnë qumësht të kategorisë së parë sipas standardeve evropiane të cilësisë dhe higjienës, më kategorinë e dytë janë evidentuar 3600 ferma që munden shpejtë dhe lehtësisht të orientohen dhe edukohen për të përmirësuar kushtet e higjienës në ferma, të mjeljes dhe manipulimit me qumësht për të arritur standardet evropiane , ndërsa në kategorinë e tretë janë evidentuar 1450 ferma që kanë probleme me higjienën gjatë mjeljes, sëmundjeve të kafshëve dhe mos plotësimit të kushteve për mirëqenien e kafshëve.
“Qumësht të freskët do të mund të shesin fermat e kategorisë së parë, ndërsa fermat e kategorisë së dytë dhe të tretë do të mund të përpunojnë qumështin në djathë dhe kaçkavall. Nuk presim që të ketë mungesë të qumështit të freskët për shkak se në kategorinë e parë bëjnë pjesë kapacitetet më të mëdha prodhuese, apo fermat që prodhojnë edhe sasitë më të mëdha të qumështit”, thotë drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Zoran Atanasov.
Sipas tij, për tejkalimin e problemeve do ti propozohet qeverisë edhe stimulime shtesë për prodhuesit që do të dorëzojnë qumështin e klasit të parë si dhe vazhdimin e edukimit të fermerëve. “Ndër të tjerash do të propozojmë edhe masa për rregullimin e pronësisë së tokës për fermat e kategorisë së parë , ndërsa për përmirësimin e higjienës në ferma, gjatë mjeljes dhe manipulimit me qumështin do të organizohen edhe punëtori edukative”, shton Atanasov. Nga ana tjetër, ekspertët të bujqësisë vlerësojnë se shumica e fermave në Maqedoni kanë prej 1-5 lopë me kushte shpesh joadekuate të ruajtjes së kafshëve dhe ruajtjes së qumështit.
Sipas profesoreshës Sonja Srbinovska nga Fakulteti i Bujqësisë në Shkup, shteti duhet të mendojë të organizojë një laborator, me rrjetin e kontrollit apo sistem të integruar të analizës dhe cilësisë së qumështin me çka edhe qumështoret do të mund të shfrytëzojnë rezultatet e tilla dhe do të mund të shpërblejnë fermerët në mënyrë përkatëse për punën e tyre.
“Për të përmirësuar cilësinë e qumështit nevojiten më shumë punë si kultivimi i kafshëve, ferma, mënyra e mjeljes, higjiena në fermë, higjiena e mjeljes, pajisja për ftohje, edukimi, e kështu me radhë”, thekson Srbinovska. Nga ana tjetër, fermerët ankohen se me ushqimin e shtrenjtë të kafshëve, çmimin e ulët grumbullues të qumështit, prodhimi prej më pak 3000 litra është mjaft vështirë të arrihen standardet evropiane të cilësisë së qumështit . Gjithashtu, fermerët e vegjël ankohen se për ta paraqet harxhim i madh investimi në sisteme të mbyllura të mjeljes dhe në lakto-frizerë, ndërsa kërkojnë edhe çmime dhe subvencione më të larta për qumështin më cilësor të dorëzuar në qumështore. (koha.mk)