Sipas të dhënave që AUV i shpalosi për gazetën KOHA, qytetarët e Maqedonisë hanë ushqim të sigurt. Kjo konfirmohet nga numri i kontrolleve të kryera. Pra, nga atje njoftuan se që nga fillimi i vitit janë kryer rreth 32 mijë kontrolle inspektuese, janë vendosur mbi tre mijë e 500 masa kontrolli, si dhe janë asgjësuar si të pasigurta mbi 51 tonë ushqime
Anëmsha SHABANI
Shkup, 5 nëntor – Në një botë ku produktet ushqimore lëvizin përmes një zinxhiri të gjatë dhe të komplikuar, është e rëndësishme që konsumatorët të jenë të sigurt atë që konsumojnë. Megjithatë, sa është i sigurt ushqimi që arrin në tryezat tona? Kontrolli i rreptë i cilësisë dhe sigurisë ushqimore është thelbësor për të parandaluar rreziqet që mund të vijnë nga ushqimi i kontaminuar dhe për të garantuar shëndetin publik. Ushqimi në vend i nënshtrohet kontrollit nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në kuadër të kontrolleve të rregullta dhe të jashtëzakonshme, si dhe kur veprohet sipas peticioneve të paraqitura nga qytetarët dhe personat juridikë, pas marrjes së njoftimeve të PASSF (njoftime që ka marrë AUV përmes sistemit evropian për raportimin e ushqimit të pasigurt) dhe në kuadër të zbatimit të kontrolleve në vijim të programeve të monitorimit për sigurinë dhe cilësinë e ushqimit.
Sipas të dhënave që AUV i shpalosi për gazetën KOHA, qytetarët e Maqedonisë hanë ushqim të sigurt. Kjo konfirmohet nga numri i kontrolleve të kryera. Pra, nga atje njoftuan se që nga fillimi i vitit janë kryer rreth 32 mijë kontrolle inspektuese, janë vendosur mbi tre mijë e 500 masa kontrolli, si dhe janë asgjësuar si të pasigurta mbi 51 tonë ushqime.
Këtë vit, përmes Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit në Agjenci janë dorëzuar njëzet peticione dhe mbi 200 iniciativa për realizimin e inspektimeve nga qytetarët apo personat juridikë. Nga ana e AHV-së, shumica e tyre janë vepruar. Ndërkaq, nga AUV për gazetën KOHA deklaroi se kur bëhet fjalë për ushqimet që importohen në vend, ata kryejnë kontroll të detyrueshëm për çdo dërgesë importi në pikat kufitare, ndërsa kontrollet kryhen edhe gjatë shkarkimit të ngarkesave të importuara. “Krahas ekzaminimit të detyrueshëm të dokumentacionit, bëhet edhe ekzaminimi i identitetit dhe kontrolli fizik i dërgesave. Në kuadër të programeve të monitorimit dhe në rast dyshimi merren mostra për analiza nga ngarkesat ushqimore që importohen. Të njëjtat nuk lejohen të importohen, vendosen nën mbikëqyrje, deri në marrjen e rezultateve të analizave laboratorike, të cilat vërtetojnë se dërgesa është e sigurt, pas së cilës produktet mund të hidhen në treg. Në rast të rezultateve pozitive të analizave laboratorike, dërgesa kthehet në vendin e origjinës ose asgjësohet padëmshëm në prani të një inspektori”, theksuan nga AUV.
Nga atje informuan se për shkak të ndjeshmërisë së lehtë ndaj prishjes, ushqimi me origjinë shtazore është zakonisht më i rrezikshmi kur bëhet fjalë për sigurinë ushqimore, nëse trajtohet në mënyrë joadekuate. Edhe pse me një rrezik më të ulët, ushqimet me origjinë jo shtazore nuk bëjnë përjashtim.
Nga ana tjetër, sipas tyre edhe qytetarët janë pjesë kyçe e zinxhirit të sigurisë ushqimore, duke ngritur alarmin për çdo problem dhe duke kontribuar në edukimin e vazhdueshëm për sigurinë ushqimore dhe mirëqenien e kafshëve. “Si pjesë e zinxhirit të sigurisë ushqimore, edhe qytetarët kanë rolin e tyre domethënës dhe pa ekzistencën e të cilëve, funksionimi i mekanizmit të kontrollit është i paimagjinueshëm. Ata ngrenë alarmin sa herë që përballen me ndonjë problem apo sfidë kur bëhet fjalë për sigurinë ushqimore. Për këtë, AUV punon për edukimin e vazhdueshëm të qytetarëve si konsumatorë, për çështjet që lidhen me sigurinë ushqimore, por edhe për kujdesin shëndetësor dhe mirëqenien e kafshëve”, nënvizoi AUV. Ndër të tjera, kontrollet inspektuese kryhen nga Agjencia e Ushqimit dhe Mjekësisë Veterinare në përputhje me Planin Vjetor për zbatimin e kontrolleve inspektuese dhe klasifikimin e objekteve sipas rrezikut. Po ashtu kryhen kontrolle të jashtëzakonshme, veprime në bazë të njoftimeve që AUV merr nëpërmjet Sistemit të Njoftimit të Shpejtë për Ushqime dhe Ushqime të Pasigurta të Kafshëve të BE-së si dhe në ankesat e paraqitura.
Për kontrollet inspektuese të kryera, AHV publikon raporte javore, gjashtëmujore dhe vjetore. (https://fva.gov.mk/mk/godisni-izvestai) dhe e informon publikun përmes faqes së AHV-së (fva.gov.mk) dhe mediave. (koha.mk)