Numri më i madh i ankesave për shërbimet e dobëta komunale, siç thuhet në Raportin e Ombudsmanit, janë regjistruar në rajonin Kërçovës, Tetovës, Demir Hisarit dhe Manastirit
Omer XHAFERI
Shkup, 16 prill – Një pjesë bukur e mirë e komunave në Maqedoni nuk i përmbushin nevojat qytetarëve kur jemi te shërbimet efikase komunale. Kualiteti i dobët i shërbimeve komunale në vend, ngjashëm si vitet e mëhershme, edhe gjatë 2017 ka zënë vend në procedimin e lëndëve pranë zyrës së Avokatit të Popullit, shkruan gazeta KOHA.
Raporti i Ombudsmanit për vitin e kaluar, kur flasim për të drejtat e konsumatorëve, në këtë rast të qytetarëve, thekson se banorë të shumë komunave dhe më tutje vazhdojnë të mbesin të pakënaqur nga funksionimi i njësive të bashkëqeverisjes lokale dhe mënyrën se si ata i vendosin projektit prioritare. Përderisa ankesat dhe vërejtjet e shumta për shërbimet e dobëta komunale te Ombudsmani janë shtuar, kryesuesit e komunave këto parashtresa i kanë arsyetuar se nuk mundet t’i realizojnë për shkak të mungesës së mjeteve financiare.
“Meqë funksionimi i rregullt dhe në kohë i shërbimeve komunale paraqet një parakusht për realizimin e jetës kualitative, kemi konstatuar se mungesa apo shërbimet komunale jo të mjaftueshme, administratat lokale nuk duhet t’i arsyetojnë me mos ekzistimin e mjeteve financiare apo varësinë e tyre prej pushtetit qendror. Ankesat e dorëzuara në zyrat rajonale tonat lidhur me shërbimet komunale dhe ato publike, kryesisht kanë të bëjnë me mungesën e furnizimit me ujë apo shkyçjen nga rrjeti i ujësjellësit, mungesën e ndriçimit publik, tendenca të shumta për larjen e borxheve të vjetra, mungesë e infrastrukturës komunale e kështu me radhë”, thuhet në Raportin e Avokatit të Popullit.
Numri më i madh i ankesave për shërbimet e dobëta komunale, siç thuhet në Raportin e Ombudsmanit, janë regjistruar në rajonin Kërçovës, Tetovës, Demir Hisarit dhe Manastirit. Problemet ekzistenciale të cilat i tangojnë shumë komuna në Maqedoni, sipas ekspertëve të fushës së vetëqeverisjes lokalë, në radhë të parë lidhen me numrin enorm të madh të këtyre njësive, që në vendin tonë janë të regjistruar 80 të tilla, plus Qyteti i Shkupit si njësi e posaçme e vetëqeverisjes lokale. Plotësimi apo ndryshimi i Ligjit për ndarje të re territoriale, i miratuar në vitin 2004, mendohet të jetë pikënisja prej ku duhet të fillohet dhe të zgjidhen problemet në më shumë komuna, kryesisht në ato rurale.
Veprimi në kohë i Këshillave ndërkomunal për mbrojtjen e konsumatorëve, sipas Avokatit të Popullit, paraqet njërën prej mënyrë më efikase përmes të cilave mund të përmirësohet kjo gjendje.
“Duke i pasur parasysh kompetencat e këtyre Këshillave për monitorimin e dhënies së shërbimeve publike, për shprehjen e kujdesit që këto probleme qytetarët t’i zgjidhin, për përmirësimin (avancimin) e dhënies së shërbimeve nga nëpunësit komunale drejt qytetarëve, si dhe për organizimin e tribunave publike ku do të shqyrtohen këto çështje, ne vlerësojmë se ky funksionim i Këshillave komunale duhet të bëhet realitet dhe jo vetëm, i njëjti të ekzistojë në letër”, thuhet në Raportin e Avokatit të Popullit.
Në përgjithësi, Ombudsmani në raportin e vitit 2017 ka vlerësuar se kryerja e veprimtarisë komunale nga ana komunave në Maqedoni nuk është në nivelin e duhur të zhvillimit, me çka dallimet nga komuna në komunë janë tepër të mëdha. Njëkohësisht, siç thuhet në Raport, disa komuna edhe më tutje ballafaqohen me mungesë të akteve të përgjithshme, të cilat këto njësi duhej t’i kenë e të cilat do të ishin në funksion të definimit të procedurave për dhënien e shërbimeve kualitative administrative. (koha.mk)