“Shqipëria ka një datë për negociatat dhe tani do të nisë punën përgatitore për procesin analitik për hapjen e negociatave”.
Duke mbajtur fjalën në Kuvend, kryeministri Edi Rama theksoi se sot ka marrë ftesën, bashkë me kryeministrin maqedonas, për të shkuar në ditët e ardhshme në Bruksel dhe për të filluar diskutimin për punën përgatitore, që është puna ku do të ulemi me Këshillin për procesin analitik për hapjen e negociatave.
“Ne kemi datën për negociatat, këta thonë ‘jo’, sepse qershorin e kanë problem se në qershor i pësojnë të gjitha goditjet. Qershori është hija që do t’ju ndjekë dhe vazhdon t’ju ndjekë nga pas”, iu drejtua Rama, opozitës.
Kryeministri informoi se “në muajin korrik, në Shqipëri vjen ekipi i KE-së pikërisht për programin analitik dhe në këtë proces ne kemi shumë e shumë gjëra për të organizuar dhe për të vënë në funksion”.
Është fatkeqësi, tha Kryeministri, “që ju kemi juve opozitë, por duhet të pajtohemi me këtë fatkeqësi, nuk kemi opozitë”.
“Nuk ju kemi as për ekonomi, as për punësim, as për zhvillimin rural, turizmin, arsimin, shëndetësinë. Nuk kemi opozitë dhe duhet të pajtohemi me këtë. Opozitën e kemi në terren, e kemi në rrjetet sociale, opozitë kemi hallet dhe problemet e qytetarëve dhe me ata do të qëndrojmë, nuk kemi çfarë t’ju bëjmë”, shtoi Rama.
Rama e konsideroi këtë problem shumë të madh, pasi realisht siç tha ai “jemi vetëm edhe në qeveri edhe në përpjekjen për të kuptuar se si mund t’i bëjmë gjërat më mirë”.
“Kemi vetëm një shpëtim në këtë përpjekje, njerëzit e zakonshëm, ata që na votuan dhe ata që nuk na votuan. Me ata e kemi punën dhe përpara tyre kemi detyrimin të debatojmë. Me këta (opozitën) çdo debat është kohë e humbur në absurditet”, tha Rama.
Në përfundim, Kryeministri Rama citoi thënien e Konrad Adenauer sipas së cilit: “Zoti e kufizoi inteligjencën e njeriut dhe është e pandershme që nuk kufizoi dhe budallallëkun”.