Situata më keq është në lagjen Lenin, ku aktualisht është makineri e madhe për ndërtimin e rrugës në këtë lagjes dhe banorët hasin në vështirësi për të arritur deri tek shtëpitë e tyre, ndërsa haset edhe baltë gjithandej
Urim HASIPI
Tetovë, 15 tetor – Fillimi i punëve në disa rrugë në Tetovë në prag të fushatës zgjedhore dhe zgjedhjeve lokale ka bërë që shumë qytetarë dhe parti opozitare të akuzojnë kryetaren aktuale dhe kandidaten për kryetare për Komunën e Tetovës, Teuta Arifi, se këtë e bën për fushatë zgjedhore. Krahas kësaj, akuzat janë se pse pikërisht është pritur kjo periudhë e vitit kur ka reshje të mëdha të shiut. Madje, disa banor që jetojnë në lagjet pranë Spitalit Klinik të Tetovës dhe objektit të komunës së Tetovës janë ankuar se hasin në vështirësi të mëdha për qarkullim, kurse komunikacioni në këto pjesë të Tetovës është në gjendje kaotike. Disa prej banorëve kanë qenë në takim me kryetaren gjatë javës që po e lëmë pas dhe kanë kërkuar që sa më shpejtë të përfundojmë dhe përmbyllen punët.
Nga ana tjetër kryetarja e komunës së Tetovës thotë se punët që kryhen nuk kanë të bëjnë me fushatën zgjedhore ngase të njëjtat janë votuar edhe në këshillin e komunës së Tetovës. “Edhe po të dëshironi në prag të fushatës zgjedhore për shkak të ligjeve pozitive ju nuk mund të filloni, pra të ju kujtohet një rrugë dhe të filloni të punoni. Ju e dini se ka një program që është votuar nga ana e këshillit të komunës dhe të gjitha këta rrugë janë pjesë e programit të këtij viti, të paraparë për fund verë dhe realizimi i tyre bëhet sipas dinamikës së paraparë. Të gjitha kompanitë që kanë marrë përsipër të realizojnë këto punë, kanë edhe afatet e realizimit dhe afatet nuk kanë përfunduar. Normalisht kemi patur mot me shi por kjo nuk ka penguar në realizimin e punëve”, deklaroi kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Ndërkohë që ende nuk kanë filluar punët për fazën e dytë në rrugën Strasho Pinzhur në Tetovë. Bizneset që veprojnë në këtë rrugë në prag të fillimit të sezonit të verës kishin kërkuar që të mos rikonstruohet rruga sepse do të pësonin humbje gjatë kohës së ardhjes së mërgimtarëve. Komuna ka bërë vetëm rrjetin e kanalizimit dhe ka ndërprerë punët por deri më tash nuk kanë filluar punët për fazën e dytë. “Ne në atë pjesë kemi bërë rrjetin e kanalizimit sepse kishim një kërkesë nga bizneset që mos punohet gjatë sezonit të punës më të madhe dhe në kishim mirëkuptim me ata. Mirëpo, në një kohë kur punojmë në disa rrugë tjera, mendoj se pas përfundimit të këtyre rrugëve do të rifillohet edhe atje të punohet me gërryerjen dhe asfaltimin e rrugës”, tha Arifi. Në ndërkohë, situata më keq është në lagjen Lenin, ku aktualisht është makineri e madhe për ndërtimin e rrugës në këtë lagjes dhe banorët hasin në vështirësi për të arritur deri tek shtëpitë e tyre, ndërsa haset edhe baltë gjithandej. (koha.mk)