Mundësia e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë ka shkaktuar reagime të shumta. Deputetë të Bundestagut në Berlin vazhdojnë të jenë kundër ndryshimit të kufijve, por ka edhe zëra të tjerë.
Këto janë ditët kur çdo fjalë, pikë apo presje duhet të matet mirë. Vetëm rreth dy javë më parë kancelarja Angela Merkel ishte e prerë se “nuk mund të ketë ndryshime të kufijve në Ballkan dhe se ato janë të paprekshme”, por tani nga Berlini dëgjohen tone pak më të ndryshme. Apo kemi të bëjmë vetëm me interpretime të ndryshme?
Kancelarja Merkel ka thënë të martën pas një telefonate me presidentin amerikan Donald Trump se “ne i mbështesim bisedimet, që çojnë deri tek qëllimi, por njëkohësisht themi se integriteti ka një rëndësi të posaçme”, dhe shtoi “Duhet të kemi kujdes që hapat e bërë në një vend të mos kenë pasoja edhe për hapat në vendet tjera”.