Sezon i tmerrshëm ai i përjetuar nga Real Madrid. Los Blancos, kurrë në garë për titullin kampion në La Liga dhe të eliminuar që në të tetat e finales në Champions League nga Ajax, vendosën të shkarkojnë më 11 mars teknikun Santiago Solari për të rikthyer trajnerin Zinedine Zidane.
Francezi ka nisur tashmë punën për projektin e ri madrilène, me objektivin për të rikthyer ekipin merengues sërish kompetitiv. Gjithsesi, në këto orë të vona, sikurse raportohet nga media spanjolle “Don Balon”, trajneri francez ka nisur një konflikt me presidentin Florentino Perez.
Objekt i debatit dhe kundërshtive mësohet të jenë pozitat e mbrojtësit kampion bote në fuqi, Raphael Varane. Ky i fundit gjatë këtyre ditëve ka shfaqur vullnetin për tu larguar nga Real me përfundimin e sezonit.
Ndërkohë që presidenti Perez është i gatshëm të privohet nga francezi, vetë Zidane e konsideron thelbësor prezencën e mbrojtësit në projektin e tij taktik. Aq sa për të vënë veton mbi frenimin e shitjes së mbrojtësit. Gjatë kësaj kohe Juventus, e interesuar për Varane mbetet në pritje.