Siç thamë Borussia Dortmundi dhe Real Madridi do të përballen sot (e martë) në “Signal Iduna Park”, në kuadër të ndeshjes së tyre të dytë në Ligën e Kampionëve. Në këtë ndeshje për “Los Blancos” do të mungojnë, Kovaciç, Marselo, Theo, Benzema dhe Vallejo. Por, pavarësisht kësaj, Zidane tashmë ka në mendje me cilët lojtarë të startojë ndaj ekipit gjerman si dhe ai e ka të qartë formacionin fitues. Portierit Kejlor Navas do t’i besohen dorezat, ashtu siç ndodh gjithmonë në ndeshje serioze. Në mbrojtje gjithashtu nuk pritet të ketë befasi. Dani Karvahal, Rafael Varane, Sergjio Ramos dhe Naço janë alternativat më të mira, duke marrë parasysh se Marselo është i dëmtuar. Zidan, siç shkruan gazeta “Marca”, ka menduar të luajë me katër mesfushorë në formë rombi, Kasemiro, Luka Modriç, Isko dhe Toni Kroos, ku ky i fundit nuk është stërvitur dje me skuadrën, por ka udhëtuar me ekipin në Gjermani, por siç raporton “AS” gjermani do të jetë gati për të luajtur, nëse ndodh e kundërta, vendin e tij do ta zë Marko Asensio. Derisa, më përpara do të vendosen Geret Bejll dhe Kristiano Ronaldo, të cilët do të përpiqen të trazojnë mbrojtjen e verdhezinjve, e cila ka jo pak probleme.
Në ndërkohë, futbollistët e skuadrës gjermane thonë se i pret një ndeshje e vështirë. Njëri prej tyre është edhe mbrojtësi spanjoll Mark Bartra, i cili e di se do të jetë një ndeshje e vështirë kundër kampionëve, por thotë se Dortmundi duhet të vazhdojë të luan lojën e saj. “Kemi përball një ekip të madh, por ne duam të vazhdojmë me ecurinë pozitive dhe do të tentojmë të udhëheqim lojën”, u shpreh Bartra. “Nëse topi do të jetë më shumë në pronësi tonën, atëherë mundësitë do të jenë më të mëdha për t’iu bërë sa më shumë dëme atyre. Ata janë rritur shumë si ekip për dallim nga sezonet e kaluara. E mbajnë më shumë topin me lojtarë të mrekullueshëm që kanë në skuadër. Duhet të jemi të koncentruar sepse janë të rrezikshëm si me top ashtu edhe pa të. Mund të luajnë me kundërsulme e po ashtu edhe me prekje të shpejta, të obligojnë që të koncentrohesh në maksimum”, përfunduar Bartra. Derisa, po në të njëjtin grup do të zhvillohet përballja mes APOEL dhe Totenhem, ku anglezët do të kërkojnë fitoren e dytë, ndërsa qipriotit të parën.
Në ndeshjet tjera, gjithashtu pritet duele interesante. Sevilja në kuadër të Grupit E do të pret Mariborin, kurse Liverpuli do të jetë mysafir i CSKA Moskë. Vlen të përmendet se të katër ekipet në xhirot e para barazuan dhe kanë nga një pikë.
Lideri në Premier Ligën angleze Mançester Siti pas fitores së thellë si mysafir ndaj Fejenordit me 4-0 në kuadër të xhiros së parë, në “Etihad Stadium” do të pret ukrainasit e Shakhtar, të cilët gjithashtu arritën fitore në xhiron e parë përballë Napolit. Kjo e fundit sonte do të pret sonte Fejenordin ku do të tentojë të rehabilitohet nga humbja me Shakhtarin në xhiron e parë.
Kampioni i Turqisë Beshiktar, e cila në xhiron e parë befasoi me fitoren ndaj Portos si mysafir, në Stamboll do të pret skuadrën e Laipzigut, e cila luajti baras me Monakon në xhiron e parë. Derisa, Porton e pret edhe një përballje e vështirë, ku do të takohet me Monakon, e cila gjithashtu është në kërkim të fitores së parë në grupe. Të gjitha ndeshjet e Grupit E, F, G dhe H do të fillojnë në ora 20.45.
Dyshet:
Grupi E
Sevilja – Maribor
Spartak M. – Liverpul
Grupi F
Mançester S. – Shakhtar D.
Napoli – Fejenord
Grupi G
Beshiktash – Laipzig
Monako – Porto
Grupi H
APOEL – Totenhem
Borussia D. – Real M.