Skuadra e PSG-së është gati të hyjë në garë me Real Madrid për të “rrëmbyer” nga Chelsea lojtarin Eden Hazard, kontrata e të cilit me “blutë” e Londrës skadon në verën e vitit 2020. Fantazisti belg ka ende edhe 18 muaj për të vendosur për të ardhmen e tij dhe duket se oferta prej 300 mijë stërlinash në javë që i ofron Chelsea nuk e josh shumë. Sidomos kur sheh se ekipet më të famshme në botë e kërkojnë me ngulm.
Por nëse interesimi i ekipit të Real ka qenë gjithnjë i pranishëm, surprizë e orëve të fundit është ndërhyrja në këtë transferim të mundshëm i ekipit të PSG-së, kampionit në Francës, që është gati ta paguajë me flori 27-vjeçarin. Drejtuesit e PSG-së e admirojnë talentin belg dhe janë gati të bëjnë çmendurinë për ta sjellë atë në Francë, pavarësisht problemeve të shpeshta që kanë me “fair play financiar”.
Menaxheri i Eden Hazard është vazhdimisht në kontakt si me lojtarin ashtu dhe me drejtuesit e Chelsea, apo me ekipet më të mëdha në Europë, që synojnë ta afrojnë në verën e vitit 2020. Edhe në Premier League nuk mungojnë admiruesit, me Manchester City që është në vijën e parë, por duket se vetë lojtari preferon të transferohet në Madrid.
“Real Madrid është ekipi më i mirë në botë, do të ishte një gënjeshtër po ta mohoja këtë gjë. Kjo ka qenë ëndrra ime që fëmijë. Të shohim se çdo të ndodhë”, tha Hazard.