Real Madridi po vazhdon që të këmbëngulë për transferimin e Mauro Ikardit. “Merengezët” po lidhen shumë me sulmuesin argjentinas, i cili ka një klauzolë prej 110 milionë eurosh e cila parashikohet të bëhet aktive gjatë verës. Teksa Nerazzurët dëshirojnë të ofrojnë një kontratë të re me pagë më të lartë dhe klauzolë më të lartë, “Corriere dello Sport” beson se gjiganti spanjoll tashmë ka afërsinë me lojtarin.
Në klimën aktuale klauzola e Ikardit nuk është pengesë e madhe për Realin, pasi tashmë “Los Blancos” duan një transferim “galaktik” në verë pasi dështuan në luftën për titull në La Liga.
Nerazzurët do të takohen me Icardin dhe agjenten e tij, Vandën, muajin e ardhshëm për të diskutuar për një kontratë të re.
Pas publikimit të këtyre spekulimeve, vet Ikardi ka postuar në “Instagram” një foto ku ka aluduar për të ardhmen e tij. “Asnjëherë mos harro se je arkitekt i fatit tënd”, u shpreh Ikardi në këtë postim. Argjentinasi është aktualisht kapiten i Interit dhe në të kaluarën ka momente kur është përplasur me tifozët zikaltër.
Ndërkohë, kjo shifër, duke parë lëvizjet e fundit të mëdha të merkatos, do të ishte e ulët, pasi nënshkrimi i Nejmar ka shkaktuar rritjen e nënshkrimeve në futboll. Në Itali, gjithashtu, theksojnë se një Kupë Bote e mirë nga Ikardi mund ta rrisë vlerën e tij edhe më lart se shuma e klauzolës, duke e bërë nënshkrimin e sulmuesit 24-vjeçar në një biznes të mirë për zikaltrit.