Integrimi miq, nuk do të thotë vetëm lehtësi vizash e punësimesh jashtë, por përqafim dhe pranim i një sërë vlerash dhe parimesh të cilat do sjellin jetë më të mirë, rend dhe qetësi për të gjithë ne. Por e gjitha fillon nga ne dhe prej nesh. Prandaj nëse politika është e çoroditur në baltën e vetë të interesave, flisni hapur dhe me zë vizionet tona
Nga Nazim RASHIDI
Maqedonia mbetet peng e mendësisë indiferente të politikës e cila ndonëse e shet si sukses të madh atë që është arritur, sërish nuk artikulon atë vizionarizëm për të ndihmuar njerëzit të kuptojnë fuqinë e vendimit që mund të kenë.
E përmenda në një bisedë rastësisht e pastaj pak më vonë e lexova edhe te një shkrim i Mehmet Krajës thënien e Aristotelit, që e parafrazuar do thotë se është edhe më keq se diktatura, kur në formë demokratike në krye të pushtetit ka ardhur injoranca. Të përballur jemi prej kohësh me këtë realitet, ku nuk dimë si të artikulojmë as se si lehtësinë me të cilën pushtetet shkelin ligje dhe keqpërdorin shtetin dhe pastaj edhe me një super lehtësi justifikojnë veprimet, apo edhe më keq hiqen si struci, duke e futur kokën në zyrat e tyre e bëjnë sikur nuk shohin e dëgjojnë, ndërkohë që reagimet nuk shkaktojnë efektin e tyre. Nuk i sjellin para asnjë përgjegjësie dhe kështu rrënimi shoqëror vazhdon.
Të mbështjellë në betejën publike gjithçka tentohet të përballet me “PR” (Public Relation), apo me truqet në shqip me Marrëdhëniet me Publikun, ku specialistët e fushës tentojnë të theksojnë apo tërheqin vëmendjen sipas qëllimit që duan të arrijnë me mesazhet e dërguara në publik dhe kështu i gjithë fokusi mbetet tek perceptimet dhe as e si tek thelbi. Kur beteja publike bëhet se si me çdo kusht të ruhet vota, apo dhe të rrëmbehet votuesi nga kampi tjetër dhe kjo bëhet në formën më makiaveliste të mundshme, pa menduar asnjëherë pasojat, ndodh ajo që kemi sot: Një shoqëri të përçudnuar me vlera dhe përfaqësues në institucione që s’kanë vizion më të gjatë se interesi personal, duke mos e ditur të shkretët dhe mungesa e një vizionarizmi për shoqërinë të parët që do t’i hajë janë ata vetë.
E tillë është pamja jonë në sferën publike, ku dominohet nga politika e cila në shumë raste as që ka dimensionet e një perspektive thelbësore edhe kur ka momente tejet të rëndësishme për të ardhmen e njerëzve. Pa dashur të vë tone të peshave të mëdha, ku ky popull, fiks siç ka thënë Çerçilli, ka konsumuar aq shumë histori sa s’ka më kapacitete tretëse, politika as e si ta ndihmojë këtë proces me një vizionarizëm më largpamës se sa marrja e pushtetit pas disa muajsh. Nën një tabllo të tillë dhe me shume pikëpyetje se çfarë do ndodhë me Maqedoninë gjatë disa muajsh, forcat politike Maqedonase po shprehen tejet të ndara rreth referendumit për emrin, rreth marrëveshjes për Greqinë dhe vetë emrit të ri Republika Maqedonia e Veriut.
Por si shikohen gjithë këto pikëpyetje që dalin tek maqedonasit, nga shqiptarët? Ose, a janë bërë shpjegime të duhura se çdo të thotë e gjitha për shqiptarët dhe të tjerët nëse Maqedonia mbetet peng e mendësisë indiferente të politikës e cila ndonëse e sheh si sukses të madh atë që është arritur, sërish nuk artikulon atë vizionarizëm për të ndihmuar njerëzit të kuptojnë fuqinë e vendimit që mund të kenë. Kjo në një anë, në tjetrën, edhe pse kalon më pak nga shqiptarët, kemi gati thirrje për mossukses të referendumit dhe me këtë hapjes së paqartësive deri në qiell. Si duhet sjellë pra?
Do t’ju përshkruaj dy sekuenca bisedash, të rastësishme, që i bëra në një hark kohor tejet të shkurtër, por që i lidh i njëjti shqetësim dhe e njëjta mungesë informacioni për gjithë këto zhvillime. Dy personat, janë njerëz të shkolluar, profesionist dhe që ndjekin me vëmendje të gjitha zhvillimet politike. Nuk kam pyetur qartë për simpatitë e tyre politike, por në bisedë mund të vësh re kritika dhe lëvdata në një sens më civil, për zhvillimet. I pari, një mërgimtar, gati me ngazëllim të pa parë dhe deri diku dhe ofendues, thoshte se s’kishte pse të votojë, nëse mërgata do të votonte, në referendumin për emrin.
Wowww, si ka mundësi një mendësi e tillë? Por pyetjet e tij ishin të qarta: “Çfarë fitojnë shqiptarët?” dhe komente të tipit “Maqedonia siç po ekziston tani do ekzistojë sërish edhe pa integrimet në NATO dhe BE”. Dua të tërheq vëmendjen edhe një herë se nuk bëhet fjalë për person të painformuar, bëhet fjalë për një person tejet të edukuar që në mendimin tim as që duhej të kishte dilema të tilla.
Gjithsesi, pyetjet e ngritura kur vinë prej tij, tregojnë se si ai e shumë njerëz mbase ende se kanë të qartë se çfarë do të ndodhë, të jesh një vend i ngecur në vend, kur parimet për të cilat të gjithë mundohen të vijnë në funksion, nuk do të vinë, sepse të jesh i ngecur do të thotë aq lehtë tu bësh bisht standardeve për jetë më të mirë, për liri dhe sidomos për përgjegjësi për ata që kanë fatet e njerëzve në dorë. Po OK, thashë, duhet të përballemi me këto pyetje për deri sa përgjigjet e dhëna aq shpesh nuk kanë krijuar efektin e duhur, të kuptuarit e rëndësisë për të qenë pjesë e vlerave dhe jetës perëndimore. Siç thashë, thuajse pak orë më vonë, por në një bisedë tjetër, një konstatim tjetër mu përplas në fytyrë.
“Nuk na duhen mërgimtarët të vendosin për fatin tonë”, tha bashkëbiseduesja e ime, e cila gjithashtu është tejet e edukuar dhe njohëse e të gjitha proceseve politike. Para se të jap unë argumentin se “hejjjj, po pa mërgimtarët shumë realitete politike në Maqedoni as që do t’i kishim arrirë”, ajo këtë e tha vetë. Po, e di, roli i tyre cili ka qenë. Por ideja e saj është, cili do jetë roli i tyre tani? Të ardhur nga shoqëri të rregulluar, me sisteme funksionale të përditshmërisë por edhe ligjore dhe shoqërore, patriotizmi i tyre sipas bashkëbisedueses time, nuk mjafton më vetëm duke valëvitur flamurin, apo vendosje e shqiponjës dy krenare në qafore, apo dhe si tatuazh meqë bëhet fjalë edhe për një brez mërgimtarësh më të rinj, por edhe kryerja e presionit sipas saj, tek politika për përqafimin dhe zbatimin e vlerave të shoqërive nga ata vinë dhe ku ne duam të shkojmë.
“Nuk shoh që ata (mërgimtarët) përpiqen të kërkojnë standarde të njëjta me vendet nga vinë”, tha bashkëbiseduesja. Sipas saj kjo i bënte ata të mos e kuptojnë realitetin e jetës këtu dhe nevojën që kanë këta njerëz. Si rrjedhojë, ajo tha, “jo nuk dua të vendosin për fatin tim në votime, dhe pastaj të ikin e ne të na lënë në baltën e rezultateve”. I gjithë ky dallim në opinione sjell për mua përfundimin se mungesa e të kuptuarit të rëndësisë së momentit po vjen nga mungesa e një shkëputjeje totale të politikës, politikanit nga njerëzit dhe mungesa e komunikimit të vizioneve. Në fakt degjenerimi i politikës në përfitime personale, tenderë dhe beteja bajate në rrjetet sociale, ka bërë njerëzit të çorodisin dhe veprimin e tyre politik. Sepse në fund të fundit çdo veprim i yni, apo dhe mos veprim i yni sjell një realitet politik të cilin pastaj ne duhet ta mbajmë në kurriz.
Mërgimtarin mezi e binda, se vota në referendum në fakt është për mua, për ne që jemi këtu. Sepse ky realitet i momentit ka sjellë pak shpresë, se gjërat edhe mund të venë në drejtimin e synuar me vite. Nuk ka se si një mërgimtar me lehtësi të hedhë poshtë të mirën time, dëshirën për një jetë më të mirë, sepse edhe unë edhe ne jemi dhe të tyrët. U bind (të paktën kështu dua të besoj). Kurse bashkëbisedueses tjetër i thashë, mërgimtarëve u duhet sqaruar konteksti. Di plotë që në rrethana të caktuara duan të vinë dhe të kontribuojnë në zhvillimin tonë, por çështja është se a i kanë ftuar?
E gjithë rilindja jonë kombëtare ka ardhur në këto troje nga mërgimtarët e kohës. Kjo mund të ripërsëritet në kontekstet e sotme me teknologjinë dhe dijen e kohës. Por, sërish, a ka pasur nisma të tilla? Sigurisht që bashkëbiseduesja pranoi këto argumente, por pavarësisht në të dyja rastet mbetet fakti i moskomunikimit në të gjitha nivelet të politikës dhe njerëzve, dhe më shumë akoma, mosprezantimi qartë i vizionit afatgjatë. Integrimi miq, nuk do të thotë vetëm lehtësi vizash e punësimesh jashtë, por përqafim dhe pranim i një sërë vlerash dhe parimesh të cilat do sjellin jetë më të mirë, rend dhe qetësi për të gjithë ne. Por e gjitha fillon nga ne dhe prej nesh. Prandaj nëse politika është e çoroditur në baltën e vetë të interesave, flisni hapur dhe me zë vizionet tona.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)