Refugjatët e ardhur në Francë nga zonat e konflikteve ‘janë veshur’ me rrobat e ish-Presidentit francez, Jacques Chirac.
Mediat ndërkombëtare shkruajnë që kjo është bërë e mundur pasi Chirac drejton një fondacion humanitar përmes të cilit ka dhuruar një sasi të madhe rrobash për një organizatë që përkujdeset për refugjatët në kryeqytetin e Francës, Paris.
Fotografi Yann Arthus-Bertrand ka rrëfyer se si përdori kontaktet e veta për të kërkuar ndihmë, pasi një motër nderi që përkujdeset për refugjatët i kishte thënë që nuk ka mjaftueshëm rroba dimri për refugjatët.
“Ajo më tha që i duhen rroba të trasha. Unë i shkrova Fondacionit Chirac ku jam anëtar bordi dhe mora përgjigja nga vajza e ish-presidentit, Claude Chirac, e cila më tha që do të përkujdeset për këtë problem”, ka treguar fotografi Arthus-Bertrand.
Disa ditë më vonë një makinë e madhe erdhi dhe dhuroi rroba të shumta, në mesin e të cilave ishin edhe rrobat e Chirac.
“Kjo më duket shumë simbolike: refugjatët veshin rrobat e ish-presidentit të shtetit ku kanë ardhur”, thotë ai.
Jacques Chirac ishte Presidenti dhe Kryeministër i Francës. Ai u pensionua nga politika më 2007, kurse fondacionin e hapi një vit më vonë.