Nga drejtoria e çerdhes “Rinia” në Tetovë thonë se do të kujdesen që të mbahet distanca mes fëmijëve dhe edukatoreve, njëkohësisht një kujdes të veçantë do t`i kushtohet edhe higjienës së objektit dhe të vet fëmijëve
Urim HASIPI
Tetovë, 3 qershor – Regjistrimi i fëmijëve në çerdhen “Rinia” në Tetovë do të bëhet në mënyrë elektronike. Këtë e ka bërë të ditur drejtoresha e këtij institucioni, Ramije Dauti. Derisa ishim në kushte normale, regjistrimi i fëmijëve bëhej si zakonisht, ashtu që prindërit vinin vetë, kurse tani për shkak të situatës, regjistrimi bëhet në mënyrë elektronike, u shpreh drejtoresha Dauti.
“Prindërit që janë të interesuar për të regjistruar fëmijët në çerdhen “Rinia”, të njëjtën mund ta bëjnë në mënyrë elektronike dhe jo me prezencë fizike. Tani në këtë situatë nuk mund të rrezikojmë që të vijnë këtu fëmijët dhe prindërit kur regjistrimi mund të bëhet edhe në formën elektronike” tha drejtoresha Dauti.
E pyetur se çfarë përgatitjesh kanë bërë që fëmijët të jenë të mbrojtur nga virusi COVID19, drejtoresha e kësaj çerdheje u shpreh se i kanë marrë të gjitha masat e nevojshme duke dezinfektuar të gjithë objektin e çerdhes, duke ndërruar të gjithë shtretërit për fëmijët, çarçafët do të jenë të dyfishuar për t’i ndërruar me emrat e fëmijëve. Ndërsa, për qëndrimin dhe orën e mbajtur u shpreh se i plotësojnë kushtet nga ajo që ka dhënë ministria. Deri në 2 vjet fëmijët duhet të jenë 6 veta në grup, ndërsa mbi 2 vjet para nisjes për në klasë të parë do të jenë nga 15 fëmijë në një klasë. Drejtoresha e çerdhes “Rinia” theksoi se vitin e kaluar ka patur një numër të madh të pranimit të fëmijëve, dhe se këtë vit do të plotësohen vetëm vendet e lira, pasi që nuk kanë shumë mundësi për të pranuar fëmijë të tjerë. Ajo gjithashtu u shpreh se situata e krijuar me COVID19 nuk e pengon aspak interesimin e prindërve për të regjistruar fëmijët e tyre. Nga çerdhja “Rinia” thonë se interesimi tashmë është dukshëm më i vogël, duke patur parasysh gjendjen me koronavirusin, por kjo do të jetë edhe një mundësi e mirë që të respektohen masat për mbrojtje shëndetësore nga ana e Qeverisë dhe Ministrisë së shëndetësisë . “Kemi numër të mjaftueshëm të të punësuarve, kemi kapacitete për atë numër të fëmijëve që të kujdesemi dhe mendoj se nuk do të kemi problem. Me numër më të vogël të fëmijëve edhe më mirë mund të mbahet distanca, por në mënyrë me të përpiktë edhe të punësuarit edhe fëmijët do respektojnë masat dhe do të mbrohen nga virusi”, thonë nga kjo çerdhe.
Nga drejtoria e çerdhes “Rinia” në Tetovë thonë se do të kujdesen që të mbahet distanca mes fëmijëve dhe edukatoreve, njëkohësisht një kujdes të veçantë do t`i kushtohet edhe higjienës së objektit dhe të vet fëmijëve. Në këtë çerdhe të Tetovës gjithnjë viteve të kaluara ka patur interesim të madh të prindërve për të dërguar fëmijët në çerdhe, prandaj edhe autoritetet komunale tashmë janë në procedurë e sipër për të filluar ndërtimin edhe të një çerdhe të re në Komunën e Tetovës. (koha.mk)