Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), kanë paralajmëruar se të gjithë nxënësit që do të regjistrohen në arsimin e mesëm profesional kanë një punë të garantuar pas mbarimit të arsimit por edhe një tarifë mujore prej 4.000 denarë nga kompanitë për shkollimin e tyre dhe pagesa për praktikën e punës gjatë pushimit të verës
Zenel MIFTARI
Shkup, 16 maj – Me mbarimin e vitit shkollor nxënësit që mbarojnë shkollën fillore kanë dilema se ku të vazhdojnë shkollimin e mesëm. Shkollat e mesme profesionale ashtu si vitin e kaluar edhe këtë vit shkollor do të ofrojnë profile të reja mësimore dhe veçanërisht drejtime duale të cilat janë në “një paket” me punën praktike të nxënëseve. Shkolla e mesme elektroteknike në Shkup “Mihajlo Pupin”, gjatë këtij viti shkollor do të ofrojë tre profile katërvjeçare nga të cilat do të jenë teknik i elektroteknikës për teknologji kompjuterike dhe automatizëm, teknik i elektronikës dhe telekomunikacionit dhe teknik i elektronikës energjetikës me dy paralele. Gjithashtu në këtë shkollë do të ketë dhe dy profile tre vjeçare si elektricist dhe elektromekanikë. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), kanë paralajmëruar se të gjithë nxënësit që do të regjistrohen në arsimin e mesëm profesional kanë një punë të garantuar pas mbarimit të arsimit por edhe një tarifë mujore prej 4.000 denarë nga kompanitë për shkollimin e tyre dhe pagesa për praktikën e punës gjatë pushimit të verës. Gjithashtu edhe shkollat e mesme tjera profesionale në qytetet tjera do të ofrojnë drejtime të reja arsimore dhe duale ku do të kombinohet mësimi teorik me atë praktikë.
Sipas paralajmërimeve nga autoritetet arsimore, nxënësit do të punojnë në laboratorët më të avancuar dhe me mjetet më bashkëkohore dhe do ta kryen praktikën në kompanitë më të mëdha të vendit tonë. Çdo nxënës do të marrë një tabletë, në të cilën marrin materiale mësimore sipas standardeve evropiane në Canvas. Gjithashtu do të ketë edhe shkëmbim të nxënëseve nga Sllovenia, Serbia, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina dhe shkëmbim të përvojave me profesorët nga këto vende në fushën e elektroteknikës. Duke pasur parasysh se tani po jetojmë në një epokë digjitale, e cila ka sjellë shumë ndryshime pozitive dhe të dobishme në mënyrën e jetesës, ka nevojë edhe për përgatitjen e stafit profesional dhe të kualifikuar.
Aleksandar Sibinovski, drejtori i shkollës së mesme “Vlado Tasevski”, në një deklaratë për media informoi se në vitin e ri shkollor kanë planifikuar të regjistrojnë afër 460 nxënës në 14 paralele. “Të gjithë profilet mësimore janë programe për profesionin e komunikacionit, inxhinierisë elektrike dhe inxhinierisë mekanike. Në vazhdimisht jemi duke investuar në përmirësimin e pajisjeve tona teknike dhe ngritjen e kuadrit mësimor dhe profesional dhe në këtë mënyrë do të rrisim dhe interesimin e nxënëseve që dëshirojnë të regjistrohen në shkollën tonë. Krahas interesimit të madh dhe tradicional për profilin arsimor të transportit dhe shpedicionit nga profesioni i komunikacionit, këtë vit presim të rritet interesimi edhe për profilin arsimor të teknikut hekurudhor, për të cilin profesion jemi unik në vendin tonë”, tha drejtori Sibinovski. Ai ka shtuar se në shkollën ku ai drejton do të hapet një profil i ri arsimor në profesionin e elektroteknikës – bëhet fjalë për teknik i teknologjisë kompjuterike dhe automatizëm. “Ne si shkollë por edhe gjeneratat e ardhshme duhet të jemi bartës të zhvillimit të të gjitha proceseve shoqërore dhe të kemi vizion dhe strategji se si të përdorim teknologjinë për të mirë, përparim, inovacion dhe jetë më të mirë në shoqërinë tonë”, tha në fund Sibinovski.
Ndryshe, sipas përvojës së vitit të kaluar kur edhe filloi të aplikohet masa e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, e mbështetur nga Ambasada e Zvicrës – “Mëso me mend, puno profesionalisht”, ka dhënë rezultate në rritjen e interesimit të nxënëseve për t’u regjistruar në shkollat e mesme profesionale. (koha.mk)