Shkup, 30 dhjetor – Skuadra e Renovës tani ka gati planin për fazën përgatitore dhe sezonin pranveror. Nga ekipi tetovar kanë bërë me dije se grumbullimi i parë i skuadrës do të jetë me 6 janar, e që do të realizohet më pas në Tetovë deri me 20 janar. Ndërsa nga 22 janari ekipi do të udhëtojë në rezidencën e tyre të zakonshme, në Ohër për të vazhduar me fazën kryesore të përgatitjeve.
Derisa drejtori sportiv i ekipit, Fisnik Nuhiu ka folur edhe për përforcimet dhe largimet e mundshme nga skuadra bardhekaltër.
“Kemi në plan të përforcohemi me disa lojtar, por për momentin nuk kemi konkret asgjë, edhe pse po bisedojmë me disa. Ndoshta do të ketë edhe ndonjë largim, por së pari të shohim çfarë mund të ofrojmë në ekip”, u shpreh Nuhiu për Albsport.mk, përcjellë gazeta Koha.
Ai ka folur pikërisht për futbollistët që mundë të largohen nga klubi i “gjipspunuesve”: “Disa lojtar që nuk kishin minutazhë, ndoshta do të duhet të largohen, e them këtë për të mirën e të dy palëve, ndërsa për ata do të jetë më mirë nëse gjejnë ndonjë mjedis ku do mund te luajnë”, tha drejtori sportiv i Renovës.
Cekim, Renova e ka mbyllur sezonin në pozitën e parafundit në renditje dhe do ta ketë një detyrë të vështirë në sezonin pranveror, për çka drejtori sportiv Nuhiu ka thënë se do të kërkojnë përforcime kualitative.
“E kemi parasysh se do jetë shumë vështirë dhe për këtë duam të përforcohemi me 4-5 lojtar qe ta risim kualitetin ne ekip. Pozita që e kemi tani ndoshta nuk është reale me atë që kanë treguar lojtarët në fushë, por kjo është gjendja faktike. Besojmë se mund të ngrihemi më lart duke pasur parasysh edhe diferencën e pikëve që kanë ekipet tjera. Të gjithë jemi aty afër, besojmë se do largohemi nga zona e rrezikut”, përfundoi Fisnik Nuhiu, drejtor i KF Renova, ku edhe më parë ishte kapiten i kësaj ekipe.