Tani kur kemi reshje të shiut, bujqit i shohin si një shpresë dhe shpëtim për një prodhimtari më të mirë të kulturave bujqësore që mbjellin
Vjollca SADIKU
Dibër, 5 prill – Bujqit dibran tanimë mbi 15 vite kanë probleme të shumta me vaditjen e tokave të tyre në fushën e Dibrës. Sistemi për vaditje i cili nuk funksionon për shkak të vjedhjeve të pajisjeve në Stacionin që furnizonte me ujë sistemin për vaditje, para një dekade e gjysmë ka shkaktuar dëme të mëdha në fushën e Dibrës. Pikërisht ky problem ka detyruar bujqit të braktisin tokat por edhe të mbjellin kultura bujqësore të cilat rriten edhe pa ujë. Tani kur kemi reshje të shiut, bujqit e kësaj ane gëzohen dhe reshjet i shohin si një shpresë dhe shpëtim për një prodhimtari më të mirë të kulturave bujqësore që mbjellin.
Fusha e Dibrës për fat të keq tanimë shumë vite nuk ujitet. Situata është alarmante. Ata thonë se dëmet nga viti në vit janë të mëdha dhe prandaj një pjesë e madhe e tokës pjellore nuk ujitet. Fusha e Udovës e cila u përmbyt me ngritjen të pendës të Liqenit artificial të Dibrës ishte një ambar i fuqishëm për banorët e Dibrës. Ndërtimi i sistemit për vaditje viteve të 70-ta faktikisht mundësoi që fusha e Udovës të “kompensohet” me sjelljen e ujit në fushën të Dibrës e cila gjendet në pjesën kufitare të saj. Por, kjo nuk zgjati shumë meqë hajnat në fillim të vitit 2005 dëmtuan tërësisht sistemin i cili deri më sot është jo funksional. Në një situatë të këtillë ka patur tendenca për të përmirësuar dhe sanuar sistemin, por këta tendenca kanë ngelur vetëm në letër. Prandaj edhe reshjet e shiut sa herë që janë prezent janë një shpresë për bujqit me qëllim që të rrisin rendimentet të prodhimeve bujqësore në fushën e Dibrës.
Reshjet e shiut janë të mirëseardhura edhe për rritjen e nivelit të ujit në Liqenin e Dibrës i cili mbushet nëpërmjet lumenjve Radikë, Drini i Zi.
Kur jemi tek funksionimi i sistemit për vaditje të theksojmë se para disa viteve u përgatit elaborati dhe projekti për rifunksionimin të sistemit për vaditje të fushës së Dibrës. Por, edhe pse ky dokument është i gatshëm, deri tani nuk janë siguruar mjetet për realizimin e projektit. Reagimet e pushtetit vendor, shoqatës së bujqve dibran por edhe mbarë banorëve të Dibrës janë në kontinuitet prezent, duke pritur rifunksionimin e sistemit për vaditje. Rifunksionimi i sistemit sigurisht që kërkon shumë mjete, por pa një sistem për ujitje të fushës, fusha e Dibrës nuk do të jep rendimentet të cilat i jepte në kohën kur fusha ujitej nëpërmjet sistemit. Buqit edhe atëherë kishin problem meqë paguanin shumë për shfrytëzimin e ujit për ujitje meqë pompat funksiononin me energji elektrike por tani kur sistemi nuk funksionon dëmet janë teje të mëdha. (koha.mk)