Regjimi komunist jugosllav, përkatësisht ai maqedonas, krahas mësuesve dhe veprimtarëve të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, si armiq të tyre i konsideronte edhe ulematë shqiptarë, veçmas mbështetësit e politikës së Ataullah Efendiut, përkatësisht pasardhësit e tij siç ishin: Fetah Efendiu, Mehmet Efendiu, Xhemal Efendiu, Ferat Efendiu e shumë të tjerë, të cilët deri në vdekje qëndruan besnik ndaj idealeve të tyre fetare e kombëtare
Nga Qerim LITA
(vijon nga dje)
Ndërhyrja në planprogramet mësimore për shkollat shqipe, erdhi menjëherë pas zbulimit të organizatës Nacional Demokratike Shqiptare dhe burgosjes së një numri të madh të mësuesve shqiptar, nën pretekst se të njëjtit ishin anëtar të kësaj organizate. Mësuesit shqiptarë në atë periudhë kohore përbënin klasën “më të rrezikshme” për pushtetin e atëhershëm të RP të Maqedonisë. Në analizën e hartuar në shkurt të vitit 1952 nga Komisioni i Byrosë Politike të PKM-së, me Kërste Cërvenkovskin në krye, vihej në pah se “reaksionin shqiptaromadh e mbajnë gjallë mësuesit shqiptarë”, të cilët, analiza i ndante në tre grupe: “grup mësuesish që kanë ardhur nga Shqipëria që nga koha e okupacionit (këta janë me përgatitje më të lartë arsimore, mirëpo të edukuar me ide të ndryshme shoviniste); grup mësuesish që kanë ardhur nga Shqipëria pas Luftës së Dytë Botërore (edhe këta pjesërisht janë me arsim të lartë, mirëpo të edukuar me ide për bashkimin e Shqipërisë), dhe grup mësuesish i cili numerikisht është më i madh (të krijuar në territorin tonë nëpërmjet kurseve, ndërsa ata kryesisht janë fëmijë të ish bejlerëve, ulemave dhe zejtarëve të ndryshëm dhe gjimnazistë të papërfunduar). Edhe këta janë kuadër të krijuar nga dy grupet e para…”.
Ngjashëm si Cërvenkovski, shpreheshin edhe organet e UDB-së. Në raportin që ky shërbim në vitin 1953 ia dërgoi Byrosë Politike të PKM-së, veç tjerash thuhej: “Inteligjenca e cila erdhi gjatë kohës së okupacionit dhe ajo që erdhi pas çlirimit, ishte drejtuesja e më shumë ngjarjeve irredentiste dhe shoviniste. Nga këto mësues u krijua organizata Nacional Demokratike Shqiptare. Mendimet e veta shoviniste dhe irredentiste mësuesit i përcjellin sistematikisht dhe me shkathtësi te shtresat. Vetë detyra e NDSH-ë ishte: restaurimi i së vjetrës me ndihmën e perëndimit për krijimin e Shqipërisë së Madhe ..”.
Kulminacionin e antishqiptarizmit, udhëheqja komuniste maqedonase e arriti me Kushtetutën e parë, e cila u miratua më 31 dhjetor 1946, ku shqiptarët përfundimisht u emërtuan si pakicë nacionale, duke u përfshirë vetëm në një pikë të saj, përkatësisht në Kreun III neni 12 në të cilin shprehimisht thuhej: “Pakicat nacionale në Republikën Popullore të Maqedonisë gëzojnë të drejtën e mbrojtjen e zhvillimit kulturor dhe në përdorimin e lirë të gjuhës së tyre”.
Viti 1947 filloi me një fushatë të egër anti-shqiptare nga ana e udhëheqjes komuniste maqedonase, e cila u karakterizua me procese të shumta gjyqësore kundër veprimtarëve kombëtar e fetar shqiptar. Nga data 26 janar e deri më 7 shkurt të vitit 1947, në Shkup u mbajt procesi gjyqësorë kundër kreut më të lartë të KQ të NDSH-së, me ç’rastë ndaj 19 veprimtarëve të shquar shqiptar u sollën këto dënime: Azem Idriz Marana me vdekje-pushkatim, Kapiten Hysni Rudi me vdekje-pushkatim, Mehmet Bushi me vdekje-pushkatim, Qemal Skënderi me vdekje-pushkatim (më vonë ky dënim u zëvendësua me 20 vjet heqje lirie), Hasan Bilalli me 20 vjet heqje lirie, Dr.Qeram Zllatku me 20 vjet heqje lirie, Medat Tërshana me 18 vjet heqje lirie, Osman Cami me 15 vjet heqje lirie, Xhemal Fazli Kasami me 15 vjet heqje lirie, mulla Hajdar Kurtish Jashari me 12 vjet heqje lirie, hafiz Mexhit Zyberi me 10 vjet heqje lirie, Jonuz Balla me 8 vjet heqje lirie, Xhavit Abdullah Selimi me 6 vjet heqje lirie, Galip Raufi me 6 vjet heqje lirie, Mahmut Dumani me 4 vjet heqje lirie, Nazmi Emin Azemi me 4 vjet heqje lirie, Spiro Harrilla Theodosi me 3 vjet heqje lirie, Gani bej Mehmet Abdullahu me 2 vjet heqje lirie dhe Sherif Ahmet Aliti me 2 vjet heqje lirie.
Dy muaj pasi përfundoi procesi gjyqësor kundër 19 anëtarëve të KQ të NDSH-së, po në qytetin e Shkupit, filloi procesi gjyqësor kundër grupit të dytë të NDSH-së i përbërë prej 7 intelektualëve e atdhetarëve shqiptarë: Suad Sulejman Mehmedi, Hetem Tahir Aliu, Nexhmedin Besim Sezairi, Jetish Sali Vishi, Ymer Qemal Sadiku, Abdylfari Beqir Ademi dhe Xhevair Vesel Shaqiri. Në fakt, të gjithë ata ishin udhëheqësit e komiteteve të NDSh-së për rajonin e Dervenit e të Tetovës.
Për dallim nga procesi i parë, i cili u zhvillua nga Gjyqi i Qarkut të këtij qytetit, procesi gjyqësor kundër grupit të dytë të NDSh-së, u zhvillua nga ana e Gjyqi Ushtarak – Divizioni i Shkupit, i cili më 24 mars1947, solli vendim me të cilën shtatë të akuzuarit u dënuan me burg të rëndë në kohëzgjatje nga 3 deri më 18 vjet heqje lirie.
Regjimi komunist jugosllav, përkatësisht ai maqedonas, krahas mësuesve dhe veprimtarëve të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, si armiq të tyre i konsideronte edhe ulematë shqiptarë, veçmas mbështetësit e politikës së Ataullah Efendiut, përkatësisht pasardhësit e tij siç ishin: Fetah Efendiu, Mehmet Efendiu, Xhemal Efendiu, Ferat Efendiu e shumë të tjerë, të cilët deri në vdekje qëndruan besnik ndaj idealeve të tyre fetare e kombëtare. Në një dokument të hartuar në janar vitit 1947 nga ana e shërbimit sekret UDB-ë, përshkruheshin metodat e veprimtarisë së grupit të Ataullah Hoxhës, të cilat ishin me sa vijon:
- Gjatë kohës së okupacionit: qëndrim armiqësor ndaj LNÇ-së nga ana e drejtuesve kryesor, ndërsa përkrahësit e tyre në mënyrë aktive kanë luftuar kundër LNÇ-së në bashkëpunim me pushtuesin /Mulla Hamidi, Ferat Efendia/.
- Pas çlirimit: Janë futur në frontin e pushtetit popullor, me qëllim të maskimit të veprimtarisë armiqësore e krijimit të besimit, e në anën tjetër, me qëllim të dobësimit nga brenda;
- Ndarjen e masave nga fronti dhe krijimin e jo disponimit ndaj lëvizjes;
- Shfrytëzimin e fesë në veprimtarinë antipopullore, duke i paraqitur rregulloret për kurorëzime, shkollave fetare, ndërprerjen e gjyqeve të sheriatit etj., si sulm të drejtpërdrejtë të pushtetit ndaj fesë.
- Krijimin e revoltës te masat për dispozitat e mësipërme me qëllim që masat të kërkojnë ndërprerjen e tyre;
- Nxitjen e urrejtjes fetare e nacionale midis popujve në Maqedoni me qëllim të cenimit të vëllazërim bashkimit;
- Zgjerimin e lajmeve sensacionale për pasigurinë e shoqërisë, për luftën e re, për fitoren e anglo-amerikanëve dhe rrënimin e regjimit komunistë”.
Si rrjedhojë e një konstatimi të tillë, në pranverë të vitit 1947 organet e UDB-së, burgosën grupin e teologëve që konsideroheshin si pasardhës të politikës së Ataullah Hoxhës, në krye me Fetah ef. Raufin, Mehmet ef. Sadikun, Xhemail ef. Xhemailin, Ferat ef. Ibrahimin etj., Menduh Qazim Ahmetin dhe Riza Hamid Xheladinin, ndërsa më vonë të njëjtit u dënuan me burg të rëndë nga 6 deri më 12 vjet heqje lirie.
Në fillim të muajit shkurt të vitit 1948, organet policore maqedonase bastisën fshatin Zhelinë, me ç’rastë vranë ushtarakun e mirënjohur shqiptar, Arfif Dragomancin, i njohur në popull si Arif Kapiteni si dhe gjashtë bashkëveprimtar të tij. Përveç kësaj u arrestuan edhe këta veprimtarë: Demir Esad Sulçe nga fshati Bellovishtë, Ibrahim Emin Musliu nga fshati Zhelinë, Nebi Vehap Ibrahimi nga fshati Zhelinë, mulla Garip Ramiz Beadini nga Tetova, hafiz Abdulla Hamid Abdulla nga fshati Zhelinë, Islam Shaban Zejnullau nga fshati Zhelinë, Ilmi Izair Islami nga fshati Zhelinë, Zyber Kadri Baftjari nga fshati Zhelinë, Demir Hashim Demiri nga fshati Zhelinë, Jusuf Mehmet Bajrami nga Tetova, Ismail Jusuf Selimi nga fshati Kopanicë – Shkup, Adem Jusuf Selimi nga fshati Kopanicë – Shkup, Selim Jusuf Selimi nga fshati Kopanicë – Shkup, Elez Abaz Rexhepi nga fshati Zhelinë, Demirali Havzi Emini nga fshati Debërcë- Tetovë dhe Tahir Qahil Tahiri nga fshati Zhelinë. Procesi gjyqësor kundër tyre u zhvillua në shtator të vitit 1948, me ç’rastë 13 të parët morrën dënime të rënda nga 3 deri më 20 vjet heqje lirie, ndërsa Elez Rexhepi, Demirali Emini dhe Murat Elezi u dënuan me punë të detyrueshme, kurse Tahir Tahiri u lirua si i pafajshëm. (fund)