Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora ka anuluar një nga koncertet e fundit që pritej të mbante në Islandë. Në një postim në rrjetin social “Instagram”, Rita ka bërë me dije se gjendja e saj shëndetësore nuk është e mirë dhe kësisoj mjekët i kanë rekomanduar të pushojë për pak kohë, raportuan mbrëmë mediat. Ajo ka treguar se deri më tani ka qenë duke u përballur me një infeksion në gjoks.
“Jam shumë e trishtuar që duhet t’i njoftoj të gjithë ata që ndjekin festivalin Solstik në Islandë, se unë nuk do të jem në gjendje të performoj siç është planifikuar. Kam qenë duke luftuar me një infeksion në gjoks dhe jam këshilluar nga mjekët e mi për të pushuar pak kohë në mënyrë që të shërohem. Isha shumë e entuziazmuar për faktin se do të kaloja kohë në Islandë dhe do të bëhesha pjesë e këtij festivali.
Kurrë nuk bëj anulime duke e marrë lehtë, pasi jam gjithmonë mirënjohëse për të gjitha mundësitë që më jepen për performanca. Jam e zhgënjyer dhe zemërthyer sepse do të thotë që po braktis fansat e mi të mrekullueshëm. Më vjen keq që nuk jam aty! Ju dua të gjithëve dhe ju falënderoj për mbështetjen tuaj. Mezi pres që të festoj me ju në 2020”– ka shkruar 28 vjeçarja.
Kujtojmë se Rita Ora ka qenë e angazhuar deri më tani me koncerte në vende të ndryshme të botës, për të promovuar albumin e saj “Phoenix”. Ajo ka qenë gjithashtu duke punuar për këngë të reja, mes të cilave renditen edhe bashkëpunimet e paralajmëruara me Dj e njohur Tiesto dhe Jonas Blue.