Maqedonia e Veriut është ndër vendet e pakta në rajon që nuk e ka tregun e liberalizuar hekurudhor. Në raportin e fundit të Komisionit Evropian mbi progresin e vendit, Kapitulli 14 thotë se vendi është i përgatitur mesatarisht në fushën e transportit dhe se, ndër të tjera, vitin e ardhshëm është e nevojshme të zbatohen reformat hekurudhore dhe të hapet tregu
Zenel MIFTARI
Sekretariati i Çështjeve Evropiane (SÇE), ka deklaruar se deri në shkurt të vitit 2021 vendi ynë do të aplikojë për grante të reja në thirrjen për kornizën e investimeve në Ballkanin Perëndimor nga Bashkimi Evropian në kuadër të fondeve IPA. Sipas tyre, këtu do të përfshihet lidhja hekurudhore me Bullgarinë, e cila do të ulë normën e huazimit për këtë projekt kapital të infrastrukturës. Sekretariati për Çështjet Evropiane, ka informuar se financimi i projekteve në sektorin e transportit nga fondet IPA2 (2014-2020), bëhet përmes programit shumëvjeçar në vlerë prej 110 milion euro për këtë sektor dhe zbatohet përmes menaxhimit të decentralizuar. Lidhur me mekanizmin e dytë të BE-së, përveç që Qeveria po përgatitet të aplikojë për grante të reja, nga SÇE thonë se për ta kompletuar kornizën financiare të projekteve të tilla kapitale, përveç granteve të marra nga BE, shteti duhet të siguroj edhe një marrëveshje për kredi nga një institucion financiar ndërkombëtar.
“Për shkak të politikës fiskale të përgjegjshme dhe mbajtjes së nivelit të borxhit brenda një kornize të qëndrueshme, Ministria e Financave vlerëson me shumë kujdes se cilat projekte do të miratojë për financimin e këtyre projekteve”, nënvizuan nga SÇE. Maqedonia e Veriut, është edhe ndër vendet e pakta në rajon që nuk e ka tregun e liberalizuar hekurudhor. RMV-ja, ka disa vite që i pengon reformat në sistemin hekurudhor, e cila po rezulton me humbje shumë të mëdha nga buxheti i shtetit për t’i mbuluar borxhet e dy ndërmarrjeve të transportit hekurudhor. Në vitin 2013, Qeveria e shtyu liberalizimin e tregut të hekurudhave në Maqedoni. Ky pengim i mos liberalizimit të transportit hekurudhor në vendin tonë ndikoj në mënyrë negative. Sipas këtyre statistikave që nga viti 2013, e këndej transporti i mallrave me tren ka rënë në mënyrë drastike duke shkaktuar humbje të mëdha ekonomike vendit tonë.
Sipas raportit të fundit të Ministrisë së Financave, NP “Hekurudhat e Maqedonisë – Transporti” është kompania publike me borxhin më të madh e cila deri në fund të vitit 2019 ka akumuluar borxh gati deri në 54 milion euro. “Në vend që të ulet borxhi i NP “Hekurudhat e Maqedonisë – Transporti” është rritur vazhdimisht gjatë viteve me radhë. Në anën tjetër, në vendin e katërt të ndërmarrjeve publike që kanë borxhe renditet NP “Infrastruktura e Hekurudhave”, e cila deri në dhjetor të vitit 2019 kishte borxhe të papaguara me vlerë deri në 10.8 milion euro. Në total, të dy ndërmarrjet hekurudhore kanë akumuluar borxhe prej gati 65 milion euro”, thuhet në raportin e Ministrisë së Financave.
Liberalizimi i trafikut hekurudhor, i cili vonon të paktën dhjetë vjet, dhe shitja e Transportit Hekurudhor të Maqedonisë, janë dy gjëra që duhet të bëhen paralelisht sa më shpejt të jetë e mundur, sepse me çdo vonesë, shteti humb miliona euro.
Ndryshe, shteti vazhdimisht po vonon afatet për projektet kryesore të infrastrukturës hekurudhore. Përveç uljes së transportit të mallrave, transporti hekurudhat vazhdimisht është duke humbur edhe udhëtarët e rregullt të transportit. Statistikat tregojnë se numri i udhëtarëve në tre vitet e fundit ka rënë në mënyrë drastike. Sipas statistikave, nëse në vitin 2008 kishte afër 1.4 milion udhëtar përmes transportit hekurudhor, në vitin 2019 ka pasur vetëm 500.000 udhëtarë, që do të thotë se brenda 10 viteve ka rënie të një milion udhëtarëve përmes transportit hekurudhor. Në raportin e fundit të Komisionit Evropian mbi progresin e vendit, Kapitulli 14 thotë se vendi është i përgatitur mesatarisht në fushën e transportit dhe se, ndër të tjera, vitin e ardhshëm është e nevojshme të zbatohen reformat hekurudhore dhe të hapet tregu. (koha.mk)