Katër fëmijë dhe një edukatore kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri, që përfshiu një kopsht fëmijësh në Brazil. Zjarri u vu nga roja i kopshtit, një 50 vjeçar i quajtur Damiao Soares dos Santos, i cili u fut edhe vetë në ndërtesë dhe më pas humbi jetën në spital. Ende nuk dihen arsyet e zjarr-vënies nga ana e rojës, ndërsa raportohet se fëmijët që humbën jetën ishin të gjithë të moshës katër dhe pesë vjeç. Gjithashtu, edhe një grup tjetër fëmijësh janë duke u trajtuar intensivisht për shkak të plagëve të marra dhe shenjave të asfiksisë. “U zgjova herët në mëngjes për të sjellë djalin në kopsht, por tani po e shikoj të vdekur në spital”, u shpreh e pikëlluar nëna e një djali katër vjeçar, që humbi jetën nga zjarri.