Një lajm i papritur vjen nga Brazili dhe ka të bëjë me Ronaldo Luís Nazário de Lima. “Fenomeni” ka vendosur të tërhiqet nga gara për presidencën e Konfederatës Braziliane të Futbollit (CBF). Këtë e ka bërë të ditur përmes rrjeteve sociale.
Ish-sulmuesi i shquar e kishte shprehur disa herë dëshirën e tij për ta ndryshuar futbollin brazilian si president: “Pas deklarimit publik të vullnetit tim për të kandiduar për presidencën e CBF në sesionin e ardhshëm plenar, e tërheq zyrtarisht këtë ambicie. Nëse shumica me fuqi vendimmarrëse beson se futbolli brazilian është në duar të mira, mendimi im ka pak rëndësi.
Ideja ime ishte t’iu jepja zë dhe hapësirë klubeve, si dhe të dëgjoja federatat për të përmirësuar garat dhe zhvillimin sportiv në të gjitha rajonet. Ndryshimi i nevojshëm do të vinte nga ky këndvështrim strategjik, me forcën e një vizioni të përbashkët”, – shkroi Ronaldo në Instagram.
Pronari i Real Valladolid shpjegoi se është përballur me një nga klauzolat për t’u bërë president, e cila kërkon që kandidati të ketë mbështetjen e të paktën katër federatave shtetërore dhe katër klubeve për të regjistruar kandidaturën e tij. Ronaldo nuk arriti ta sigurojë këtë mbështetje për të marrë drejtimin e CBF:
“Në kontaktin tim të parë me 27 anëtarët, gjeta 23 dyer të mbyllura. Federatat refuzuan të më prisnin, duke thënë se ishin të kënaqura me administratën aktuale dhe mbështesnin rizgjedhjen e saj. Nuk munda të paraqisja projektin tim, ashtu siç dëshiroja.
Nuk pati hapje për dialog. Statuti iu jep federatave shumicën e votave dhe kështu është e qartë se nuk ka asnjë mundësi për marrëveshje. Shumica e drejtuesve shtetërorë mbështesin presidentin aktual; është e drejta e tyre dhe unë e respektoj, pavarësisht nga bindjet e mia”.