Shkup, 7 janar – Makinat e ish-funksionarit të lartë në MPB, Lupço Todorovski, e deputetit Hari Lokvenec, biznesmenit Shterjo Nakov, arkitektit Zllatko Todorov, por edhe e bashkëshortes së ish-shefit të DSK-së Mile Zaçeviq, janë pjesë e personave të njohur, makinat e të cilëve ju vë flaka vitin e kaluar. Sa makina janë djegur qëllimisht, ndërsa sa prej tyre janë kapluar nga zjarri për shkak të defektit, MPB do të ketë statistikën e kompletuar pas festave. Numër zyrtar ka vetëm për muajin dhjetor, transmeton gazeta KOHA.
“Gjatë muajit dhjetor të vitit 2018, në territorin e Maqedonisë janë regjistruar 25 raste, në të cilat nga zjarri janë kapluar 27 automjete (24 automjete për udhëtarë, dy automjete transporti dhe një traktor)”. Të dhënat të cilat televizioni Telma më herët i ka marrë nga policia tregojnë se ka tendencë të rritjes së makinave të kapluar nga zjarri. Në vitin 2016 ka patur 32 makina të djegura qëllimshëm, në vitin 2017 ka patur 56, ndërsa në tre muajt e parë të vitit 2018 qëllimisht u është vënë zjarri 20 makinave. Shumica e makinave që kanë pësuar nga zjarri janë në Shkup. Edhe viti i ri filloi me djegie të makinave. Më 2 janar, zjarrfikësit kanë intervenuar në shuarjen e zjarrit që kishte kapluar një makinë në lagjen Veri të Shkupit.
“Vënia flakë e automjeteve më së shpeshti është si rezultat i grupeve të organizuara kriminale që dëshirojnë të dërgojnë porosi deri te viktimat e tyre, metodë kërcënimi ose shantazhit, ndërsa ndonjëherë flaka u vihet makinave gjatë konflikteve mes grupeve mafioze”, thotë ish-shefi në MPB, Lubomir Gjurçevski.
Gjatë këtij viti në shënjestër kanë qenë edhe makinat policore. Brenda një dite janë thyer xhamat e gjashtë makinave të MPB-së. “Kur qëllim i sulmeve bëhen institucionet ose makinat e tyre, dërgohet porsi deri te të punësuarit”, shprehet Gjurçevski. Në vitin 2017 policia ka zbardhur 23 për qind të rasteve ku i është vënë flakë makinave. Në tre muajt e parë të vitit 2018 janë zbardhur 3 raste, ndërsa 5 persona kanë marrë padi penale për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, dhunë dhe dëmtim të pronave të huaja.