Qytetarët ankohen se rritja e të ardhurave nuk po kënaq nevojat e tyre mujore, mezi po lidhim muajin me muajin, ndërsa kanë vështirësi të paguajnë rregullisht edhe faturat
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 12 gusht – Maqedonia e Veriut në dekadat e fundit është lëvduar si me rritjen ekonomike, por edhe me rritjen e pagës mesatare dhe asaj minimale. Megjithatë, qytetarët ankohen se rritja e të ardhurave nuk po kënaq nevojat e tyre mujore, pasi mezi po lidhim muajin me muajin, dhe se kanë vështirësi të paguajnë rregullisht edhe faturat. Ekspertët ekonomike thonë se rritja ekonomike nuk “përkthehet” në fitime të drejtpërdrejta për qytetarët. Madje, sipas tyre, ndoshta në aspektin e statistikës edhe kemi rritje të të ardhurave, mirëpo shtojnë se rritja ekonomike dhe e pagave, është e vogël për të përmirësuar ndjeshëm mirëqenien e qytetarëve.
“Vitet e kaluara nuk mund të themi se nuk kemi rritje ekonomike apo të pagave, mirëpo nga ana tjetër – kjo rritje nuk mbulon as koston prej 33 mijë denarë të shportës konsumatore. Apo me fjalë të tjera, kur kemi parasysh se një pjesë e madhe e pagave janë me vlerë prej 15 deri 18 mijë denarë, atëherë del se kjo rritje e pagave është e pamjaftueshme”, thotë profesori universitar Neritan Turkeshi. Sipas tij, një rritje e mirëfilltë dhe që do ta ndjenin shumica e qytetarëve në xhepat e tyre do të ishte së paku ajo prej dy herë nga 10 për qind apo prej së paku 20 për qind në të gjitha pagat në shtet përgjatë mandatit të një qeverie, e përcjellë edhe me rritjen e punësimit dhe uljen e shifrave të papunësisë prej afër 200 mijë të papunëve në shtet.
Turkeshi shtron më tej edhe pyetjen se si ka mundësi që vetëm 30 kilometra larg Shkupit, në Kosovë – një profesor në shkollë të mesme të paguhet 600 deri 650 euro, apo një profesor universitar të paguhet 1200 euro në raport me pagën e profesorit universitar në Maqedoni prej 600 deri 700 euro? Ai thotë se edhe paga mesatare në sektorin publik, në Kosovë në vitin 2018 ka qenë 573 euro, ndërsa tek ne – muajin maj të këtij viti apo dy vite më vonë paga mesatare në sektorin publik ka arritur 30.829 denarë apo afër 500 euro. Turkeshi thekson më tej se sivjet do të jetë një vit mbijetese në aspektin ekonomik, ndërsa në vitin 2021 mund të flasim për rikuperim të ngadalshëm ekonomik dhe rritjen e pagave.
“Në të ardhmen, për ekonominë vendore mbetet sfidë edhe një detyrë e madhe – ristrukturimi i ekonomisë me vende më mirë të paguara të punës, me punëtorë më mirë të kualifikuar, rritja e produktivitetit, orientimi ndaj eksportit dhe heqja dorë nga shfrytëzimi i krahut të lirë të punës qoftë nga punëdhënësit e huaj, qoftë nga ata vendor”, vlerëson Turkeshi. Ekonomia vendore, sipas tij, me vite vuan nga eksporti i lëndëve të para, apo gjysmë përpunimeve që nuk sjellin ndonjë dobi të madhe as për pronarët e kapitalit dhe as për punëtorët.
“Edhe kur bëhet fjalë për fabrikat e investitorëve të huaj, megjithatë ato në shumicën e rasteve po punojnë në gjysmë përpunime që më vonë eksportohen me vlerë të ulët të shtuar, ndërsa edhe neto-fitimi prej eksportit të tyre matet me 100-150 milionë euro në vit. Edhe kompanitë vendore pak janë të interesuara për eksport dhe shpesh bujku jonë shet patate për 5 denarë në vend që industria jonë të shesë patatina për 20 denarë”, shpjegon më tej Turkeshi shkaqet tjera se pse rritja ekonomike nuk përkthehet në mirëqenie më të madhe për punëtorët në vend. Ndër të tjerash nevojitet që më shumë të orientohemi në investimet ndaj prodhimeve me teknologji të lartë, në inovacione, apo në shitjen e diturisë në eksport, nëse dëshirojmë që të rrisim totalin e të ardhurave në nivel të shtetit, shton ai.
Ndryshe, në vend akoma dominojnë pagat që janë më të ulëta se paga mesatare prej afër 26 mijë denarë. Të dhënat tregojnë se pagat në Maqedoninë e Veriut lëvizin nga ato minimale prej afër 250 euro dhe deri 1000 euro. Të dhënat e Drejtorisë për të Ardhura Publike tregojnë se mbi 60 mijë të punësuar në shtet fitojnë pagë prej 14.500 denarë, mbi 130 mijë të punësuar fitojnë afër 20 mijë denarë , mbi 130 mijë fitojnë paga prej 20 deri 30 mijë denarë. Gjithashtu, mbi 80 mijë të punësuar fitojnë paga prej 30 deri 60 mijë denarë, ndërsa mbi 14 mijë të punësuar fitojnë mbi 60 mijë denarë. Këto statistika udhëzojnë se gati 200 mijë punëtorë në shtet fitojnë paga edhe më të ulëta se paga mesatare prej afër 26 mijë denarë. (koha.mk)