Kjo rrugë, sipas banorëve, është mjaft e stërngarkuar, sepse është arterie ndihmëse që lidh Tetovën me fshatrat e Komunës së Bogovinës. Në ndërkohë, nga Komuna e Tetovës theksojnë se është intervenuar dhe pritet që së shpejti të rregullohet tërësisht ky problem në këtë lagje
Urim HASIPI
Tetovë, 23 qershor – Këtyre ditëve është intervenuar në rrugën “172” në Reçicë të Vogël nga ana e Sektorit për tokë ndërtimore në kanalizimin atmosferik, i cili nuk mund të grumbullonte ujërat, prandaj edhe kishte vërshime. Banorët disa herë janë ankuar edhe pse ishte intervenuar herën e parë, mirëpo problemet ishin shfaqur sërish kur ka patur reshje më të mëdha gjatë kësaj periudhe, shkruan gazeta KOHA. Sipas tyre, në këtë pjesë të qytetit problemi është se gypat që ishin vendosur një vit më parë, nuk mund të akumulojnë tërësisht ujërat dhe vjen deri tek havaria. Ata shprehen se uji që vërshon përmes rrugës po ashtu pengon edhe në qarkullimin e lirë të automjeteve që frekuentojnë gjatë ditës. Kjo rrugë, sipas tyre, është mjaft e stërngarkuar, sepse është arterie ndihmëse që lidh Tetovën me fshatrat e Komunës së Bogovinës.
“Edhe pse ishte asfaltuar rruga, ishte rregulluar edhe kanalizimi, megjithatë situata në këtë lagje nuk është përmirësuar. Reshjet e shiut gjithmonë vërshojnë rrugën dhe një pjesë të bizneseve që ndodhen këtu. Kemi denoncuar si rast dhe presim të marrin masa që ky problem të zgjidhet njëherë e përgjithmonë në lagjen tonë”, janë ankuar banorë të kësaj lagje.
Në ndërkohë, nga Komuna e Tetovës theksojnë se është intervenuar dhe pritet që së shpejti të rregullohet tërësisht ky problem në këtë lagje. “Dëmtimi që ka ndodhur në rrugën ‘172’ do të sanohet së shpejti, ekipet nga sektori ynë tashmë kanë dalë në terren për të evidentuar rastin dhe të shihet mënyra më e mirë për intervenim, në bashkëpunim edhe me NPK-në do të bëjmë edhe sanimin e gypave, të cilët janë të dëmtuar edhe pastaj do të bëhet rregullimi i kësaj pjese të rrugës”, deklaruan nga Sektori për tokë ndërtimore pranë Komunës së Tetovës. Por në këtë rrugë e cila vite me radhë ishte lënë pas dore dhe në mëshirë të fatit, sot edhe pse është asfaltuar, megjithatë problemet me kanalizimin janë duke e shkatërruar atë. Sipas banorëve, ka qenë një kanal i vogël që ka mbledhur ujërat sipërfaqësor kur ka patur reshje, por që është përdorur për edhe ujitje. Sot, ai kanal është futur në gypa dhe është mbuluar për shkak të asfaltimit, dhe ai gyp tashmë zihet shumë shpesh duke krijuar edhe vërshime të tjera në këtë pjesë të Tetovës, gjegjësisht në Reçicë të Vogël.
Problematike nga ana tjetër janë disa rrugë dhe lagje të Tetovës dhe rrethinës që vazhdimisht vërshohen nga kanalizimi në kohë kur ka reshje të shiut. Tashmë numri i shtëpive dhe ndërtesave dukshëm është shtuar dhe rrjeti i kanalizimit është i vogël për të absorbuar tërë ato ujëra që derdhen në këtë rrjet, prandaj edhe ndodhin vërshimet, sidomos në këtë periudhë kur reshjet e shiut janë shpeshtuar dukshëm. Krahas kësaj, po ashtu pritet të ketë intervenime edhe në pjesën tek tregu i gjelbërt në Tetovës, ku vite me radhë aty shkaktohet problem permanent gjatë reshjeve si pasojë e mos rregullimit të mirë të asfaltimit të rrethrrotullimit dhe uji nuk të qarkullojë për në pjesën e poshtme të qytetit dhe grumbullohet në një vend.
Nga Komuna kohë më parë premtuan se do të merren masa, por ende punët në terren nuk kanë filluar për të eliminuar këtë problem që ndodh në pjesën qendrore të qytetit. (koha.mk)