Laura PAPRANIKU
Shkup, 1 dhjetor – Ministra e Arsimit dhe Shkencës (MASH) duket se ka vendosur të bëjë një hap të ri, tepër domethënës në përpjekjet për përmirësimin e nivelit të dijeve nga lënda e matematikës, shkruan gazeta KOHA. Ditë më parë, në Qeveri është paraqitur informacioni për “themelimin e Gjimnazit të Specializuar Kombëtar të Matematikës”, i cili po qe se merr bekimin e Qeverisë dhe më pas të Parlamentit, mund të bëhet realitet nga shtatori i vitit të ardhshëm. Për matematikanët, ky është një lajm i mirë, apo “një rrugë që hap shpresën për ndryshimin e situatës”, sikurse shprehen ata.
Deri tani, është provuar shpeshherë të bëhen ndryshime në sistemin e shkollimit parauniversitar me qëllim të përmirësimit të dijeve nga lënda e matematikës, por rezultatet nuk kanë qenë aspak inkurajuese. Performanca e mësimdhënies dhe mësim-nxënies në lëndën e matematikës vazhdon të jetë dëshpëruese. Në matjet e karakterit ndërkombëtar, nxënësit e Maqedonisë radhiten në fund të listave siç është rasti me testet PISA, ndërsa në provimet e Maturës shtetërore – është simbolik numri i nxënësve që zgjedhin këtë lëndë për verifikimin e dijeve. Në fakultetet matematikore, të teknikës apo elektros, është gjithashtu i pakët numri i studentëve të regjistruar. Gjithë kjo situatë, pasi matematika po shihet si të ishte një “gogol”. “Nuk janë vetëm nxënësit, por edhe prindërit e tyre dhe shoqëria në përgjithësi të cilët kanë një raport jo të mirë me lëndën e matematikës. Është krijuar njëfarë psikoze se matematika është lëndë e vështirë dhe për këtë dorëzohen të gjithë, e humbin vullnetin për ta mësuar këtë lëndë”, tregon për KOHA Xhelal Ramadani, arsimtar i matematikës në shkollën fillore “Hasan Prishtina” në Shkup. E, në fakt është e kundërta, plotëson ai. “Matematika nuk është aspak një lëndë e vështirë. Është shumë e thjeshtë për tu kuptuar dhe mësuar, por kërkon vetëm pak më tepër vëmendje”, shprehet Ramadani. Sipas tij, themelimi i një gjimnazi të veçantë do të ishte një hap tepër i qëlluar. “Nëse MASH e ka vërtetë seriozisht këtë ide, do të bëhej shumë mirë. Konsideroj se ekzistimi i një gjimnazi të posaçëm për matematikën, me program të veçantë – do të jetë mënyra e duhur për të përmirësuar nivelin dijeve nga kjo lëndë”. Ai pohon se rastet të këtilla janë treguar shumë të suksesshëm në vende të tjetra, si Kosova për shembull. “Në Kosovë, prej shumë vite përpara ekzistonte gjimnazi matematikor dhe ishte pikërisht ai gjimnaz, i cili përgatiste pjesën dërmuese të studentëve të shkencave ekzakte në Kosovë. Gjithë ata që kishin kryer gjimnazin matematikor, nuk e kishin problem të përfundojnë studimet në fakultetet e matematikës, elektroteknikës, informatikës, teknikës dhe shkencave të ngjashme”, pohon Ramadani. Maqedonia, plotëson më tej ai, duhet të ndjek shembullin e Kosovës. Në gjimnaze të këtilla, fondi i orëve nga lënda e matematikës është shumë më i zgjeruar se në gjimnazet e rëndomta dhe shkon deri në 14 orë mësimi në javë pasi mësohen të ndara algjebra, trigonometria, gjeometria, analiza matematikore, e kështu me radhë. Programi mësimor plotësohet me orët të tjera të shkencave natyrore dhe humane. Ideja për themelimin e Gjimnazit të Specializuar Kombëtar të Matematikës në Maqedoni nuk është bërë ende publike nga ana e MASH-it. Por, pavarësisht kësaj, burime të sigurta të gazetës bëjnë të ditur se “informacioni i paraqitur në mbledhjen e 28 nëntorit në Qeveri është rezultat i një sërë aktiviteteve të ndërmarra paraprakisht nga ky institucion me qëllim të përmirësimit të dijeve nga lënda e matematikës”. Konkretisht, shkruan KOHA, Koncepcioni për Gjimnazin Matematikor ka nis të përgatitet në Byronë për Zhvillimin e Arsimit që para një viti. Më 18 janar 2017, grupi i punës ka mbajt takimin me qëllim të definimit të dinamikës dhe çështjeve kryesore që do të ngërthejë Koncepcioni që duhet të përgatitej nga grupi i ekspertëve të propozuar nga universitetet, Ministria, Byroja, Inspektorati, Qendra për Arsim të Mesëm Profesional dhe Lidhja e Matematikanëve. (koha.mk)