Në Gjykatën penale për sot janë caktuar seancat për lëndët e PSP-së “Trezor”, “Tarifa” dhe “Trust”. Në “Trezor” i akuzuari i parë është ish-drejtori i DSK-së Sasho Mijallkov, ish-shefi i kabinetit të tij Toni Jakimovski, ish-ndihmës ministri në MPB Nebojsha Stajkoviq dhe ish-shefi i Drejtorisë së Pestë në MOb, Goran Grujevski, i cili tani më disa muaj gjendet në paraburgim ekstradues në Greqi.
Ata akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizim dhe shkaktim të dëmit në Buxhet në vlerë prej 862.045 euro për furnizimin e pajisjes elektronike të komunikimit për nevojat e Drejtorisë së pestë pranë DSK-së dhe trajnim për shfrytëzimin e saj nga një ndërmarrje nga Britania e Madhe. Seancë e re sot duhet të mbahet edhe për rastin “Tarifa”. Prokuroria Speciale Publike për këtë rast ka dyshuar tre persona për shkak të ekzistimit të dyshimit bazë se është kryer keqpërdorim të pozitës zyrtare në procedurë për furnizimin publik të softuerit – ERP Sistem për nevojat e SHA ELEM.
Sipas aktakuzës, të dyshuarit me mospërfilljen e detyrës zyrtare kanë mundësuar që personi juridik – konsorcium, i cili, më vonë e ka marrë tenderin, të kualifikohet në fazën e dytë të negociimit gjatë furnizimit publik edhe pse nuk ka dorëzuar dokumentacion të plotë. Vlera e Marrëveshjes së arritur për furnizim publik është 4.092.420 euro, ndërsa dëmi i shkaktuar arrin 456.560 euro. Seancë gjyqësore duhet të mbahet edhe për lëndën “Trust” në të cilën i akuzuari i parë është biznesmeni Sead Koçan dhe edhe dy persona fizikë dhe tre juridik, midis të cilëve edhe drejtuesit e ndërmarrjeve “Transmet, “Sileks” dhe “Vato” SHPKNJP, për pjesëmarrje në tenderin e Elektranave të Maqedonisë. Sipas aktakuzës, të dyshuarit me dokumente të falsifikuara kanë montuar tenderë në ELEM në vlerë prej 17 milionë eurove. Lënda, siç bëri të ditur PSP-ja, është formuar në bazë të tre bisedave të përgjuara, nga të cilat dy të papublikuara në opinion nga 3.8.2011 dhe 5.10.2011.