Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në emisionin e sontëm “Studio e hapur” ka shpjeguar arsyet përse referendumi sipas tij nuk ka qenë i nevojshëm, por është dashur të kalohet në votimin e marrëveshjes drejtëpërdrejt në Kuvend. Por, tani që vendimi është marrë, Sela thotë se referendumi është bërë shumë i rëndësishëm veçanërisht për shqiptarët dhe ka bërë thirje që më 30 shtator të votohet masovikisht.
“Tanimë që është shpallur vendimi për referendumin, të mos lej keqkuptime dhe keqinterpretime kuptohet. Natyrisht Aleanca për Shqiptarët ka marë vendim që të përkrahet referendumi dhe tani 30 shtatori është një datë shumë e rëndësishme për shqiptarët këtu në Maqedoni dhe është një moment kur duhet të dalim dhe sa më masovikisht t’i themi PO anëtarësimit të vendit në NATO dhe BE. Procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO do të thotë ecje me kohën, në hap me kohën, në hap me shtetet të cilat në themelet e funksionimit të tyre kanë respektimin e të drejtave të njeriut. Anëtarësimi i vëndit në NATO do të thotë më tepër demokraci, do të thotë më tepër mendim të lirë, më tepër shprehje lirie, më tepër liri fjale, e gjithë. Gjitha këto janë argumente të mjaftueshme që do të ketë më tepër kushte në mënyrë që shqiptarët të arrjnë objektivat e tyre që kanë këtu, në tokën e tyre, jo në ndonjë shtet të huaj. Ne jemi në tokën tonë, në shtëpitë tona, jemi autokton këtu në Maqedoni, që të arrjmë barabarsinë e tërësishme ndërmjet dy komuniteteve më të mëdhaja”, tha Sela. /SHENJA/