Numrat e përafërt të deputetëve mes dy blloqeve politike maqedonase dhe shqiptare do të diktojnë një Parlament më dinamik të përbërjes së dhjetë parlamentare. Shumica parlamentare pa BDI do të ishte e brishtë, ndërsa cilësia e deputetëve do të tregohet gjatë punës së tyre, vlerësojnë për gazetën KOHA njohësit e rrethanave politike në vend duke komentuar përbërjen e dhjetë parlamentare të Maqedonisë
Destan JONUZI
Shkup, 5 gusht – Numrat e përafërt të deputetëve mes partive politike si te blloku politik maqedonas, po ashtu edhe te ai shqiptar flasin se në përbërjen e dhjetë Parlamentare do të ketë një “betejë” të vërtet politike mes përfaqësuesve të zgjedhur të popullit, për të kundërshtuar dhe propozim ligjet e njëra-tjetrës. Marrë parasysh këto numra dhe cilësinë e deputetëve të zgjedhur a mund të kemi një parlament funksional në katër vitet e ardhshme? Ish-deputeti, Zudi Xhelili thotë se zgjedhjet nxorën rezultatet të barabarta, ndërsa për cilësinë thotë se duhet pritur në kohë për të vlerësuar. “Zgjedhjet e parakohshme parlamentare nxorën rezultate shumë të barabarta si në bllokun e partive politike maqedonase, ashtu edhe në bllokun e partive politike shqiptare. Formimi eventual i shumicës parlamentare do të jetë i kombinuar për të pas mandat të plotë, ose do të jete me shumicë të thjeshtë dhe me afat, mandat të shkurtuar. Sa i përket cilësisë mendoj se duhet të presim fillimin e punimeve në Parlament që të shohim nëse ka ndryshime në kualitet tek të zgjedhurit e popullit”, deklaroi për KOHA, Xhelili.
Sipas tij, për të pasur Parlament funksional, duhet të formohet shumicë e qëndrueshme, me numra të konsiderueshëm. “Shumicë që njëkohësisht do të mundësoj të kemi edhe Qeveri stabile. Nëse do të kemi shumicë të thjesht parlamentare me 61 ose 62 deputet atëherë nuk mund të presim të kemi Parlament funksional dhe Qeveri stabile, pra pritet të ndodh tejkalim i interesave të ngushta partiake në dobi të avancimit të vendit në rrugën e anëtarësimit në BE. Në të kundërtën do ndodhin komplikime dhe situata të palakueshme për vendin”, thekson Xhelili.
Në anën tjetër, pas verifikimit të mandateve të deputetëve, filluan edhe bisedimet për formimin e Qeverisë së re. Sipas Kushtetutës, presidenti i shtetit është i obliguar në afat prej 10 ditëve nga konstituivi i shtëpisë ligjdhënëse mandatin për formimin e Qeverisë t’ia besojë partisë gjegjësisht partive që kanë shumicë në Parlament, megjithatë, në afat prej 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit, Kuvendit duhet t’i dorëzojë program dhe propozim të Qeverisë.
Selim Ibraimi nga Instituti i Studimeve të Sigurisë dhe Zhvillimit – (ISSD – Maqedonia) vlerëson se gjatë bisedimeve për formimin e Qeverisë së re në asnjë mënyrë nuk duhet të anashkalohet partia fituese te blloku politik shqiptar. ” Zaevi mund të llogarisë në blerje të deputetëve ashtu si, flitet në kuluare e Shkupit, por është BDI ajo që ia forcon pozitën e tij si kryeministër apo jo i ardhshëm i Maqedonisë. Pa Ahmetin, koalicioni i tij do të jetë i dobët dhe i strukturuar keq me mundësi që të ketë mospajtime në të ardhmen. BDI aktualisht është forca apo thënë vektori që do ta mbajë Qeverinë e re të Maqedonisë. Andaj do të thosha se LSDM dhe BDI apo Zaevi dhe Ahmeti duhet t’i ulin tonet e larta dhe të fillojnë menjëherë formimin e qeverisë dhe ndarjen përgjegjësive pasi situata e rënduar socio-ekonomike nuk pret lojëra dhe inate politike”, deklaroi për KOHA. Ibrahimi. Ai konsideron se BDI ka kapacitete që të nisë një etapë të re me njerëz të ri që Zaevit do t’i hyjnë në punë duke i marrë në konsideratë figura të BDI-së që nuk janë të kapura dhe jashtë korrupsionit. “Zaevi do të bënte gabim nëse do të përpiqet të anashkalojë BDI”, nënvizon ai. Ndryshe, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 15 korrikut, koalicioni “Mundemi” i udhëhequr nga LSDM fitoi 46 mandate deputetësh, koalicioni i VMRO-DPMNE 44, BDI 15, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12, E Majta dy dhe PDSH një. (koha.mk)