A thua si do të përfundojë ky tmerr? Nuk di. Në një gjë jam i sigurt. Besimi me këto dhe plot pyetje të tjera, vështirë se mund t’u shpëtojë mistereve. Kush duhet t’i përgjigjet pyetjes për rolin dhe pozicionin e njerëzve kryesor në Shëndetësi
Nga Dr. Fatmir HASANI
Klinika e onkologjisë në Shkup, është duke vluar nga një afere e madhe. Po thuhet e po shkruhet se “stafi i spitalit në vend të citostatikëve, pacientët i ka trajtuar me solucion fiziologjik”. Ky është lajmi qendror i çdo medie sot, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Evropë e botë. Rasti po hetohet. Inspektorët kanë kryer kontrolle, në Klinikë dhe në shtëpitë e punonjësve. Janë konfiskuar pajisje kompjuterike, dokumente…
Fatkeqësisht Prokuroria u aktivizua vetëm pas një sërë denoncimesh që u bënë nga media, e cila e nnxorri në mejdan ekzistencën e një grupi të organizuar kriminal. Keq. Trishtim i madh. Dyshimet janë shojnë aq larg saqë ky grup paska shitur terapi të shtrenjtë e duke krijuar pacientë të rremë. Terapinë e vlefshme biologjike e paskan shitur në tregun e zi.
A ka mundur Klinika onkologjike ta ndalojë këtë vjellje të tmerrshme? Pse nuk ka funksionuar sistemi i për monitorimin dhe ruajtjen e citostatikëve? Si ka mundur të mos vërehej humbja e dozave? Pse nuk i ra një mjeku të onkologjisë në sy dozimi i pasaktë i citostatikëve? Si reaguan autoritetet, konkretisht Ministria e Shëndetësisë? Shumë pyetje bëhen nga pacientët e mashtruar e të përbuzur. Pyesin edhe qytetarët. Përgjigje nuk ka. Si shumëçka tjetër edhe ky skandal do të mbulohet nga pluhuri i drejtësisë së vonuar. Drejtësi e vonuar – drejtësi e harruar! Sa pacientë kanë vdekur dhe sa të tjerë do të vdesin. Për fajin e të pandërgjgjëshmëve. Nxirrni fajtorët para drejtësisë. Të gjithë mjekët dhe të gjithë personelin mjekësor nuk duhet futur në një thes. Vetëm ata të fajshmit. Ata duhet të japin llogari. Për fatin tonë të keq, siç ndodhë zakonisht, fajtorët shpëtojnë pa një therë në këmbë.
A thua si do të përfundojë ky tmerr? Nuk di. Në një gjë jam i sigurt. Besimi me këto dhe plot pyetje të tjera, vështirë se mund t’u shpëtojë mistereve. Kush duhet t’i përgjigjet pyetjes për rolin dhe pozicionin e njerëzve kryesor në Shëndetësi.
Po të ndodhte ky skandal në Perëndim, me e pakta, njerëzit udhëheqës do të jepnin dorëheqje. Kur ndodhi përplasja e tranave në Greqi, ministri i Transportit, edhe pse më së paku mund të quhej fajtor, dha dorëheqjen e tij dhe tha: “Kur ndodhë diçka si kjo ngjarje tragjike, është e pamundur të vazhdohet sikur asgjë të mos ketë ndodhur”! Këtu te ne është ndryshe. Bëhen sikur asgjë të mos ketë ndodhur! Prandaj, ka ardhur koha e reformave. Një shëndetësi ndryshe. Pa kapadaillëk. Pa zhvatje të taksave të qytetarëve. Pa abuzime me shëndetin e pacientëve. Kujdesi shëndetësor është e drejtë e garantuar me kushtetutë. Në fund të ditës, është gjëja më humane që më shumë se kushdo tjetër, duhet ta kenë bluzat e bardha… Nëse drejtësia edhe kësaj here vonon, atëherë Shëndetësia çdo ditë do të na tregojë ‘Fatalis Images’! (koha.mk)