Urim HASIPI
Tetovë, 15 janar – Oda e Mjekëve të Maqedonisë propozon që në kuadër të ndryshimeve në sistemin e mbrojtjes shëndetësore – të rikthehet sistemi kur shëndetësia primare të jetë e organizuar edhe nëpër komunat rurale, shkruan gazeta KOHA. Ylber Besimi, zëvendëskryetar i Odës së Mjekëve të Maqedonisë thotë se propozimi i tyre është që në komunat rurale të rikthehen Shtëpitë e Shëndetit së bashku me Ndihmën e Shpejtë.
“Ne kërkuam që të gjitha komunat rurale të kenë Shtëpi Shëndeti të vetat në suaza të shërbimeve publike shëndetësore jo si ambulanca private, por që do të jenë në funksion 24 orë. Kështu që popullata e këtyre viseve e komunave rurale të kenë qasje në mbrojtjen shëndetësore primare të shëndetësisë publike në çdo moment, kuptohet këtu vjen parasysh edhe organizimi i shërbimit të Ndihmës së Shpejtë dhe kështu me radhë të gjitha ato që duhet të përfshijë një shtëpi shëndeti. Mendoj se ky sistem – që të restartohet, realisht do të përmirësonte të gjitha shërbimet shëndetësore për gjithë popullatën. E dimë se ne kemi vise të Pollogut që gjeografikisht nëse e marrim me kilometra jo shumë larg, por nga një pikë kohore nëse e marrim janë në pyetje disa çaste për të shpëtuar një jetë njeriu”, thotë për KOHA, Ylber Besimi. Sipas tij, me këtë sistem do të lehtësohej puna në Qendra Spitalore.
“Kërkojmë të riorganizohet ky shërbim shëndetësor jo vetëm në komuna rurale, por edhe në qytet. Por vënia në funksion e Qendrës emergjente në kuadër të Spitalit Klinik të Tetovës do të lehtësonte dukshëm edhe kualitetin e dhënies së shërbimeve shëndetësore për popullatën tonë. Me këtë do të evitoheshin shëtitjet e pacientëve nga poshtë-lartë dhe anasjelltas. Në këtë mënyrë, një pacient do të marrë të gjitha shërbimet që i ka nevojë si rast urgjent. Me këtë dukshëm do të evitohej edhe keqpërdorimi i Ndihmës së Shpejtë”, thekson ai. Besimi shprehet se me sistemin që propozojnë, pritet të përmirësohen dukshëm shërbimet mjekësore ndaj qytetarëve.
“Fillimisht nuk kemi interkoneksion mes mjekëve amë dhe Ndihmës së Shpejtë, prandaj me një sistem të tillë do të ishim 24 orë në shërbim të pacientëve. Çdo mjek amë nuk mund të jetë 24 orë në punë, prandaj një organizim i ri i shërbimit të këtillë do të mundësonte që popullata të ketë më afër shërbimet mjekësore, por edhe një mjek që është privat do të mund të angazhohej në ato ambulanca me ndërrime me mjekët tjerë”, tha ai.
Ai thotë se kanë hasur edhe në mirëkuptim për këtë propozim të tyre edhe nga ana e Komisionit të Shëndetësisë dhe pritet që së bashku me propozimet e këtij komisioni, Ligji të kalojë edhe procedurat parlamentare. Sipas mjekëve, sistemi i deritanishëm mjekësor edhe pse kishte filluar me reforma, megjithatë të njëjtat nuk u përfunduan dhe prandaj sistemi aktual i mbrojtjes shëndetësore nuk ka dhënë efektet e veta. Aktualisht, edhe nëpër disa fshatra të rrethinës së Tetovës mungojnë edhe ambulancat private ku shumë banorë enden me dhjetëra kilometra për të marrë shërbime mjekësore primare dhe të nevojshme. (koha.mk)