Shkup, 6 prill – Qyteti i Shkupit kërkon nga Qeveria leje që të marrë përsipër rrjetin e shpërndarjes së ngrohjes nga Ballkan Energji Grup. Kryetari i qytetit Petre Shilegov, njofton se qyteti do të krijojë një ndërmarrje të re që do të kryejë shpërndarjen e ngrohjes dhe të gjithë punonjësit do të vijnë nga BEG-u. BEG do të vazhdojë të prodhojë ngrohje, e cila pastaj do të shpërndahet përmes kompanisë së re të qytetit deri në shtëpitë e qytetarëve. Shilegov thotë se sipas Ligjit të ri Energjetik, BEG nuk duhet të jetë prodhues dhe distributor. Marrja përsipër e shpërndarjes do të ndodh nga sezoni i ri i ngrohjes, por kjo nuk do të ndikojë në çmimin e ngrohjes.
Nëse kompania ka filluar aktivitete dhe ka paguar për atë, ne do ta marrim përsipër borxhin, ose nëse kanë filluar, ne vetëm do ti vazhdojmë aktivitetet. Nuk presim që ky model të ketë implikime financiare. Me funksionimin e mirë të rrjetit, ne gjithashtu do të shohim edhe me lëvizjen e çmimeve të energjensëve të ofrojmë kushte të favorshme për qytetarët – deklaroi Petre Shilegov- kryetar i Qytetit të Shkupit.
Disa ekspertë dyshojnë se deri në fillim të sezonit të ri të ngrohjes në vjeshtë do të formohet ndërmarrje e re publike.
Për të qenë në gjendje të punojë si operator në sistem, duhet të marrë licencë. Për të marrë një licencë të tillë, duhet të formojë një Ndërmarrje Publike dhe të demonstrojë kapacitet financiar për të funksionuar. Sipas mendimit tim, është e vështirë që të gjitha procedurat të bëhen deri në vjeshtë – vlerëson profesor universitar Konstantin Dimitrov.
Nga Ballkan Energji Grup tani për tani nuk kanë qëndrim për risitë që paralajmërohen.
Do të presim dokumentin përfundimtar të Ligjit për Energjetikë. Tani për tani nuk do të komentojmë – thonë nga Ballkan Energji Grup. Përndryshe, që nga viti 2012, kompania ka tre licenca. Njëra është për prodhim dhe ka një vlefshmëri prej 35 vjetësh, periudhë të njëjtë ka edhe licenca e furnizimit, ndërsa licenca për shpërndarje ka një vlefshmëri prej dhjetë vjetësh dhe përfundon në vitin 2022./alsat/