Mohamed Salah është përkujdesur t’ia sigurojë Liverpoolit fitoren e tretë rresht në po aq takime në sezonin e ri në Premierligë, duke e mposhtur Brightonin me rezultatin minimal në “Anfield”.
Brighton pritej t’i shkaktonte telashe skuadrës së Jurgen Kloppit, pasi vinte nga një fitore madhështore ndaj Manchester Unitedit vetëm një javë më parë, megjithatë Liverpooli arriti të fitojë 1-0 falë golit të superyllit Salah.
Ky ishte goli i 29-të në 29 paraqitje në “Anfield” për Salahun, rekord mbresëlënës.
Pasi mposhti West Hamin dhe Crystal Palacin në dy ndeshjet e parë, Liverpooli fitoi edhe ndeshjen e tretë në ligën elitare angleze.
Të kuqtë ishin skuadër dominuese në këtë takim dhe arritën golin e epërsisë pas një super aksioni, gjatë të cilit Roberto Firmino asistoi te Salah, i cili ishte i saktë, kur kishin kaluar 23 minuta lojë.
Kaq kishte nga një pjesë e parë që i takoi plotësisht vendasve.
Në pjesën e dytë, Brighton nuk pati asnjë goditje në portën e Alissonit, ndersa Liverpooli pati 7 goditje në portë, nga 15 tentime.
Liverpooli tani ka 9 pikë, nga 3 takime dhe është lider i Premierligës, ndërsa Brighton mbetet në kuotën e 3 pikëve.