Bujar KURTAJ
Shkup, 14 mars – Skuadra e Shkëndijës kërkon edhe trofeun e dytë pas atij në kampionat, përkundër faktit se kanë mbetur të zhvillohen edhe 13 ndeshje deri në fund të kampionatit. Të mërkurën kuqezinjtë do të zhvillojnë njërën nga dy ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë, ku për rival do të kenë skuadrën lokale Renova. Kjo e fundit në kampionat nuk po arrin rezultate të mira, pasi ende nuk e ka siguruar mbijetesën, megjithatë ata kanë llogaritë e tyre dhe me vet faktin se janë plasuar në gjysmëfinale, nuk kanë ndërmend të dorëzohen nga trofeu i Kupës. Ndryshe, deri më tani Shkëndija dhe Renova në garat e Kupës janë ndeshur vetëm një herë (2005/2006), edhe atë në kuadër të 1/8 së finales, kur kuqezinjtë ishin më të mirë, 4-0 dhe 1-1. Atëherë kuqezinjtë arritën në finale, por aty humbën nga Makedonija Gj.P. me 2-3. Derisa, këtë trofe, skuadra tetovare e ka fituar në vitin 2016, kur në finale mundën Rabotniçkin me 2-0.
Atmosfera në prag të kësaj përballje tek skuadra e Shkëndijës është shumë e mirë, sidomos pas ecurisë fantastike në kampionat. Futbollistët e kësaj skuadre janë të gatshëm të japin më të mirën nga vetja dhe të arrijnë fitore. “Na pret ndeshja e parë e gjysmëfinales së Kupës përballë ekipit të respektuar të Renovës. Ne nuk fshehim se duam fitore dhe kualifikim në finale dhe për këtë arsye jemi të gatshëm të japim më të mirën nga vetja. Kemi atmosferë shumë të mirë e ndikuar nga rezultatet e shkëlqyeshme që po shënojmë dhe ajo që duam është vazhdimësia. Derbit lokal gjithmonë sjellin një adrenalin shtesë dhe ne me respekt ndaj rivalit do të dalim për të dëshmuar formën tonë e cila besoj të na sjell rezultatin e dëshiruar. Janë dy ndeshje para nesh, kështu që tani duam më të mirën për të themi ‘episodin’ e parë. Presim mbështetje nga publiku, ndërsa ne besoj do ua kthejmë me fitore të re”, deklaroi Besart Ibraimi, i cili në të kaluarën ka qenë futbollist i Renovës.
Në anën tjetër, njëri prej futbollistëve më të mirë në radhët e bardhekaltërve Argjent Gafuri thotë se përballja me Shkëndijën është derbi i qytetit, ndërsa beson se mund të përballojnë kundërshtarin dhe të nxjerrin rezultat pozitiv. “Pavarësisht situatës në kampionat, mendoj se kjo ndeshje është derbi i qytetit dhe ka motiv shtesë për të dy ekipet. Shkëndija ka përparësi në aspekt psikologjik, pasi që është liderë e tabelës, mirëpo edhe në jemi të vetëdijshëm për këtë dhe mendoj se do të arrijmë të përballojmë dhe të nxjerrim rezultat pozitiv”, u shpreh Gafuri. “Me vet faktin se kemi arritur në gjysmëfinale, tregon seriozitetin tonë në Kupë. Jemi të fokusuar edhe në këtë garë, por edhe në kampionat. Besoj se kemi forcë dhe kuadër për të ‘luftuar’ në të dyja frontet”, përfundoi Gafuri. Ndeshja ndërmjet Shkëndijës dhe Renovës do të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në ora 14.00. Ndërkohë, në përballjen tjetër gjysmëfinale do të përballen Pelisteri dhe Akademija Pandevi.