I themeluar në vitin shkollor 2015/2016, gjimnazi “7 Marsi” i Tetovës u bë me pedagog vetëm para dy muajve, kur në prill të 2018-ës u sigurua leja për financimin e një vendi pune për shërbimin profesional në këtë shkollë të mesme. Për psikolog, sociolog apo defektolog, pra për kompletimin e stafit me të gjitha shërbimet profesionale, as që bëhet fjalë. Situata të këtilla ka në shumë shkolla duke mos përjashtuara as ato të kryeqytetit
Laura PAPRANIKU
Shkup, 13 qershor – Nevojat e shkollave për të punësuar kuadër profesion jo çdoherë janë konform kërkesave të tyre dhe mundësive që krijohen në bllok-dotacionet që ndan Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) për shkollat fillore dhe të mesme, shkruan gazeta KOHA. Për shkak të mos harmonizimit të kërkesave me mundësitë e krijuara, rrallë ndonjë shkollë e ka të kompletuar stafin profesional me pedagog, psikolog, sociolog dhe defektolog. Në rastin më të mirë, shkollat kanë zakonisht pedagogun dhe psikologun dhe eventualisht sociologun apo defektologun, por thuajse asnjëherë të gjitha shërbimet profesionale.
Këto mungesa, të pranishme sidomos në arsimin e mesëm, sikurse shpjegojnë kompetentët, vijnë për shkak të buxhetit jo të mjaftueshëm të parave me të cilat financohet arsimi, për çka shkollat dhe komunat duhet të persin me vite të tëra derisa të sigurohet leja për hapjen e një vendi të ri pune në arsim. Me kuadrin mësimor, sikurse tregon për KOHA, Amet Qazimi, përgjegjësi për arsim në Komunën e Tetovës, gjërat shkojë pak më lehtë. Por edhe këtu, që të hapet një vend i ri pune apo të financohet ai vend, duhet që Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) të sigurojë nga Ministria e Financave lejen përkatëse.
Ndërsa kur është në pyetje punësimi i kuadrove për shërbimet profesionale dhe stafit teknik të shkollës, gjërat ndryshojnë. Marrja e lejeve shkon përmes Ministrisë të Shoqërisë Informatike (MSHI) pasi punësimet në fjalë bëhen përmes agjencive të punësimit, vëren Qazimi, ndërsa jo më pak e diskutueshme, sipas tij, është edhe formula për financimin e shkollave, pra ndarja e buxhetit të shkollave përmes bllok-dotacioneve. Sikurse dihet, kriteri bazë për financimin e shkollave është numri i nxënësve, i cili shënon rënie viteve të fundit. Mirëpo, pavarësisht kësaj rënie, kemi rritjen e nevojave të shollave për shtimin e kuadrit, qoftë me staf mësimdhënësish – qoftë me staf profesional dhe teknik. Kështu që kemi një raport të zhdrejtë të financimit të shkollave me nevojat reale të tyre, pa përmendur këtu vështirësitë në sigurimin e lejeve për financimin e vendeve të punës, plotëson ai.
Gjimnazi “7 Marsi” i themeluar në vitin shkollor 2015/2016, nuk kishte asnjërin prej shërbimeve profesionale deri në prill të 2018-së. Vetëm para dy muajve u mundësua punësimi i një pedagogu në këtë shkollë, ndërsa për psikolog, sociolog dhe defektolog, aq nuk bëhet fjalë.
Qëllimi i Komunës së Tetovës ishte që asnjë shkollë fillore dhe e mesme të mos mbetej e pa përfshirë me shërbimet profesionale dhe ky objektivi u arrit me sigurimin e lejes për financimin e vendit të punës pedagog në gjimnazin “7 Marsi”. “Për momentin nuk kemi asnjë shkollë pa kuadër të stafit profesional”, thotë Qazimi, “ndërsa objektivi i radhës është që të kompletohen të gjitha shkollat me komplet shërbimin profesional”.
Shkollat e Tetovës sigurisht që nuk janë të vetmet me mungesa të theksuara sa i takon shërbimeve profesionale. Situata të këtilla ka në shumë shkolla pa përjashtuar edhe ato të Shkupit, apo edhe të Kumanovës ku megjithëse funksionojnë si të ndara prej shkollave amë, paralelet e mesme me mësim në gjuhën shqipe të drejtimeve teknikë, ekonomi dhe bujqësi – nuk kanë as edhe njërin prej shërbimeve në fjalë. Pra jo që nuk e kanë të kompletuar stafin me kuadro të shërbimeve profesionale, por nuk kanë asnjërin prej tyre. (koha.mk)