Shkup, 1 korrik – Në rajonin e qytetit të Shkupit uikendin e kaluar kanë ndodhur 19 aksidente prej të cilave në nëntë ka persona të lënduar, ndërsa në 10 është shkaktuar vetëm dëm material. Sipas buletinit të SPB-së Shkup, janë lënduar gjithsej 12 persona prej të cilëve tre më rëndë dhe nëntë më pak.
Policia e komunikacionit ka sanksionuar 228 shoferë të cilët kanë drejtuar automjetin me shpejtësi më të madhe nga e lejuara dhe 115 shoferë të cilët ishin nën ndikim të alkoolit.
Nga komunikacioni janë përjashtuar edhe 88 shoferë të cilët kanë drejtuar automjetin para se të marrin patentë shoferin dhe 16 shoferë fillestarë. Nga komunikacioni janë përjashtuar edhe 57 automjete të parregjistruara dhe një automjet i cili ishte i mbingarkuar.
Janë dhënë edhe 142 dënime mandatuese për parkim të paligjshëm, ndërsa 108 automjete të cilat ishin parkuar në mënyrë të paligjshme janë mënjanuar me automjetin special “karrotrec”.
Në dritë të kuqe kanë kaluar nëntë shoferë, ndërsa janë evidentuar edhe 16 shoferë të cilët kanë përdorur celularë derisa ishin duke vozitur. Për mospërdorimin e helmetës janë sanksionuar 14 vozitës të motorit, mopedit dhe motoçikletës.