Shkup, 23 qershor – Skuadra e FC Shkupit ka mbetur pa njërin prej futbollistëve të saj më të mirë. Në fakt nga dita e sotme, Rro Broja nuk është pjesë e skuadrës nga Çairi. Futbollistit kosovar i kishte përfunduar kontrata me skuadrën bardheblu, derisa kryesia e klubit ka bërë përpjekje të mëdha që ta mbajë në ekip, mirëpo deri te ajo nuk erdhi, dhe tani Broja do të kërkojë klub tjetër.
Menjëherë pasi klubi zyrtarizoi largimin e tij, për faqen e klubit ka folur vetë Rron Broja.
“Dua të shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë tifozët e FC SHKUPIT, kryesinë, bashkëlojtarët dhe stafin për mundësinë që të luaj për Shkupin dhe për dy vitet e mrekullueshme në klub. Ishte ndjenjë e veçantë të bartë këtë fanellë dhe të luaj para një tifozërie të zjarrtë siç janë ‘Shvercerat’. Gjithmonë do të ketë një vend për FC SHKUPIN dhe ‘SHVERCERAT’ në zemrën time”, ka thënë Broja, përcjellë gazeta KOHA.
Në anën tjetër edhe kryesia e FC Shkupi, lojtarët dhe i gjithë stafi kanë falënderuar Brojën për angazhimin e tij të dhënë gjatë kësaj periudhe, duke i dëshiruar suksese në karrierë.
Kujtojmë, Rron Broja në sezonin që lamë pas kishte 29 paraqitje me Shkupin, duke shënuar një gol dhe dy asistime.